Suedia dyshon se vrasja e aktivistit anti Islam mund të jetë e lidhur me fuqi të huaja, arrestohen 5 persona
Kryeministr suedez, Ulf Kristersson, tha se vrasja e një aktivisti anti Islam disa orë para shqiptimit të vendimit të një gjykate kundër tij të enjten për djegien e Kuranit mund të jetë e lidhur me një fuqi të huaj, ndërsa policia arrestoi pesë persona për këtë rast.
Refugjati irakian, Salwan Momika, 38 vjeç, u qëllua për vdekje në një shtëpi në qytezën Sodertalje, afër Stokholmit, të mërkurën në mbrëmje. Policia tha se një prokuror ka urdhëruar që pesë personat e arrestuar të dërgohen në mbajtje, pa saktësuar nëse në mesin e tyre është edhe sulmuesi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Momika kishte djegur kopje të Kuranit në hapësira publike dhe në transmetime në rrjete sociale më 2023.
“Mund t’ju siguroj që shërbimet e sigurisë janë thellësisht të përfshira, sepse ekziston qartazi një rrezik për një lidhje me një fuqi të huaj” – tha të enjten në një konferencë për gazetarë kryeministri Kristersson.
Një gjykatë në Stokholm e hodhi poshtë rastin kundër Momika-s pas vdekjes së tij. Gjykata tha se vendimi për një burrë tjetër në rastin e njëjtë penal për “shkelje të agjitacionit kundër një grupi etnik ose kombëtar” në lidhje me djegiet e Kuranit do të shtyhet deri të hënën./Nacionale