Tahiri: Partitë politike t’i mbajnë duart larg RTVM-së, ta transformojnë në shërbim të vërtetë radioteleviziv publik
Shkruan: Sefer Tahiri
Nëse dëshironi të shihni se në çfarë niveli është Maqedonia e Veriut në dimensionin e funksionimit të sistemit demokratik dhe sa e ka kaluar tranzicionin mjafton të shihet në çfarë gjendje është shërbimi radiodifuziv publik. Themi publik edhe pse fatkeqësisht ky segment i sistemit mediatik ende konsiderohet si shtetëror apo qeveritar . Si nga një pjesë e madhe e shoqërisë dhe publikut, por edhe nga një pjesë e të punësuarve mediatik. Ky është rezultat i mendësisë politike-partiake që mbizotëron në vendin tonë gati se 34 vite e që bazën e ka tek logjika se “kush fiton zgjedhjet dhe kush formon qeverinë” mund të marrë drejtimin e RTVM-së, e cila sipas Marrëveshjes së Prespës quhet Radiotelevizioni nacional, pra nuk duhet të quhet maqedonas. Kjo konsiston edhe me faktin se në përgjithësi në vendin tonë ka kapacitet të ulët të vullnetit politik, por edhe shoqëror për artikulimin dhe mbrojtjen e interesit publik, që i tejkalon vijat partiake, grupore apo klanore. Mostranformimi i medias publike nuk ka ndodhur edhe për shkak të ndikimit të mediave komerciale që ky proces të mos jetë efikas, që nënkupton se ata kanë ruajtur rolin dominues në sistemin mediatik që rrjedhimisht ka diktuar nevojën e partive për mediat private. Një rreth vicioz në relacionin media-politikë-biznes që funksionon me vite.
Përkufizimi i shërbimit radiodifuziv publik
Shërbimi publik, si shtyllë e sistemit mediatik, është i themeluar nga publiku, por edhe i kontrolluar dhe financuar nga ai. Pavarësisht se në rastin e Maqedonisë së Veriut financohet nga buxheti, prapëseprapë mjetet ndahen nga qytetarët dhe jo nga politikanët e pushtetit. Heqja e taksës radio- difuzive, e cila paguhej nga qytetarët dhe sigurimi i fondeve të garantuara buxhetore për të u pa se nuk është zgjidhja më e mirë. Ishte një zgjidhje populiste nga qeverisja e kaluar e LSDM–së dhe BDI-së. Kjo zgjidhje nuk nxit kreativitetin, por në mënyrë të drejtpërdrejt stimulon një akomodim pasiv të punësuarve brenda institucionit, shto këtu edhe “status quonë” që mbizotëron në të gjithë këto vite.
Ky lloj i medias duhet të mundësojë participim efektiv të qytetarëve të informuar,. Nisur nga kjo, interesi publik do të thotë respektim i funksioni koheziv.
Detyrë e tij është që t’i përmbush nevojat e më të moshuarve dhe më të rinjve, të pasurve dhe të varfërve, atyre që janë më të arsimuar dhe atyre që janë më pak, por edhe grupeve që kanë interesa të caktuara.
Si qëndron gjendja në Maqedoninë e Veriut?
Për shkak të mospasjes së vullnetit politik tek partitë politike që kanë qenë në pushtet në më shumë se tri dekadat e kaluara, shërbimi radiodifuziv vetëm së mban epitetin publik, pasi i njëjti, pas demokratizimit juridik- normativ të vendit vazhdon të jetë shërbim shtetëror, i cili më shumë është zëdhënës i politikës, se sa i publikut.
Zgjidhjet e reja ligjore reformuese, të miratuara pas ardhjes në pushtet të Zaevit në letër siguruan proces transparent të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit të RTVM-së, si pikënisje për reforma thelbësore, organ ky që zgjedh drejtorin ekzekutiv dhe zëvendësin e tij.
Zbatohet modeli i ri i zgjedhjes përmes konkursit dhe debatit publik me kandidatët që konkurrojnë për anëtarë të këshillit. Kandidatët detyrohen të dorëzojnë së paku dy letra për mbështetje nga organizatat e ndryshme që merren me lirinë e mediave, përfshirë edhe shoqatat e gazetarëve, organizatat e të drejtave të njeriut dhe institucionet universitare të gazetarisë dhe komunikimit. Konkursi i parë dhe i dyti dështoi, meqë nuk kishte konsensus politik për 80 vota të deputetëve.
Konkursi i tretë, që nuk dihet do të jetë e treta, e vërteta për anëtarë të rinj të Këshillit as nuk është hapur. 8 vite pas miratimit, ndryshimet ligjore ngelen të pazbatuara.
Sipas mendësisë mbizotëruese shoqërore e brumosur nga partitë politike që kanë qenë në pushtet gjatë dekadave, pozitave nuk ua gjen njerëzit, por njerëzve pozitat. Prandaj kishim lajme të tipit se koalicioni VLEN cakton filan fishekun në pozitën e zëvendësdrejtorit! Ky nuk është ndryshim, ky është vazhdim i rrugës së trasuar nga pararendësit.
Ligji, por edhe demokracia dhe pluralizmi nënkuptojnë që procesi të jetë transparent dhe nga kandidatët konkurrues, anëtarë të këshillit të zgjidhen profesionistët e jo militantët partiak. Jam plotësisht i vetëdijshëm që kur e them këtë dhe merr parasysh peizazhin politik të ndërtuar në vend synimi që e themi duket idealist. Aq më tepër që kur dihet se në këtë këshill më herët janë zgjedhur edhe profesorë të kimisë, ndërsa një drejtor dhe një zëvendës i tij janë zgjedhur edhe deputetë në Kuvend. Meritokraci, se jo mahi!
Ndryshe, do vazhdojmë të jetojmë në shtet në të cilin partia vendos për gjithçka dhe modeli i së kaluarës parti shtet apo shtet parti vazhdon të jetë realitet. Rroftë partia apo rroftë demokracia, kjo është çështja!
Respekimi i parimeve të përgjithshme mbi shërbimet publike në Maqedoninë e Veriut
Qëllimet e radiodifuzionit publik kanë qenë dhe mbeten universaliteti, diversiteti dhe pavarësia. Ndaj këtyre tri parimeve patjetër duhet të shtohet edhe identifikimi apo veçantia.
(1) Universaliteti- Të gjithë qytetarët patjetër duhet të kenë qasje tek programet e tij. Radiotelevizioni publik në Maqedoninë e Veriut e respekton këtë parim, por vetëm teknikisht. Kjo do të thotë se sinjali mund të dëgjohet/ shikohet nga një numër i madh i njerëzve në mbi 90 % e territorit të vendit. Në kuptimin përmbajtësor, nuk ka arritur të sigurojë universalitet, veçanërisht nëse merren parasysh treguesit për ndjekjen e programeve. Natyrisht se nuk mund të pretendojë në shikueshmëri dhe dëgjueshmëria më të lartë se sa mediat komerciale. Duhet të pretendojë më shumë në besueshmëri. Por rejtingu nëse është tepër i ulët nuk e arsyeton ekzistencën e tij. Duhet të transformohet që të ndiqet nga publiku online, pasi sot nuk je i pranishëm në hapësirën online është njësoj sikur të prodhosh përmbajtje mediatike pa ndikim tek publiku. Kjo nënkupton që ueb faqja duhet të jetë më multimediatike dhe interaktive, që t’i mundësohet publikut të ketë këndin e tij për të transmetuar përmbajtje nga vendbanimet e ndryshme. Në RTVM, si në çdo institucion tjetër mund të ketë të punësuar që kanë zgjidhur vetëm statusin e tyre social apo të punësimit dhe që nuk janë aty për shkak të meritokracisë, por në këtë media ka shumë kolegë të aftë profesionalisht, kompetent dhe që mund ta reformojnë shërbimin. Duhet të hapet dera për kuadro të reja, sepse mosha mesatare e të punësuarve në këtë institucion është 56 vjet.
(2) Diversiteti- oferta e radiodifuzionit publik patjetër duhet të jetë diversive e jo programacion i varfër. Programi i RTVM-së duhet të rrezatojë profesionalizëm, objektivitet dhe paanshmëri politike,, duhet të prodhojë programe të larmishme arsimore, kulturore, artistike dhe dokumentare që ruajnë e forcojnë identitetin etnik të qytetarëve, sepse ky është detyrim i tij. Kjo media duhet të zbatojë edhe funksionin edukues, pra të jetë shkollë e dytë për nxënësit.
Analizat e shumta tregojnë se ballafaqohet me probleme serioze në realizimin e diversitetit zhanror. RTVM-ja transmeton program jo vetëm në gjuhën maqedonase, por ekziston kanal i veçantë në gjuhën shqipe (kanali i dytë), që transmeton 24 orë, ndërsa një kanal i veçantë (i katërti) transmeton programe në gjuhët e bashkësive.
Ideja që Programi në Gjuhën Shqipe të transmetojë në 24 orë është e qëlluar, por nuk u bë analizë e detajuar mbi funksionalizimin e kësaj ideje, që para së gjithash ka të bëjë me financimin e shërbimit programor, punësimin e më shumë kuadrove, sigurimin e kushteve teknike- teknologjike, makinave për xhirim në terren e kështu me radhë.
Shërbimi publik duhet të jetë mbipartiak dhe ndërkulturor. Për tu siguruar kjo nevojitet menaxhim joetnik. Si fillim le të kthehen dhe të rriten kompetencat e zëvendësdrejtorit shqiptar. Zëvendësdrejtori në mandatin e fundit nuk ka pasur as të drejtën e nënshkrimit! Kjo s’duhet më të ndodh! RTVM-ja e teston më së miri demokracinë në vend.