Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në podcastin “Zrak”, ka folur për zgjidhjen e problemit me parkingun në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Ministri Taravari, deklaroi se ka përfunduar e gjithë puna teknike dhe se vetëm një kompani ka konkurruar. “Nuk e di nëse komisioni ka vlerësuar se kompania i plotëson apo jo të gjitha kushtet. Pasi bëhet fjalë për dy vendparkime. Momentalisht kemi në dispozicion 700-800 vendparkime dhe me fizibilitetin do të kemi 1.450 vendparkime. Përmes një vendimi qeveritar kemi vendosur që koncesioni të jetë mbi 10 vjet, ndërsa tani ata mund ta posedojnë deri atëherë sa të jetë Qendra Klinike aty. Pra, nëse nesër hapet Qendra e re Klinike, nuk do të vazhdoj koncesioni”, deklaroi Taravari. Taravari shtoi se deri në fund të javës do të informohet nga Komisioni kompetent rreth kompanisë dhe se i plotëson apo jo kushtet.