Të paktën 30 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në Gazë nga sulmet izraelite të kryera gjatë natës dhe mëngjesin e 3 janarit, thanë zyrtarët spitalorë.
Stafi i spitalit Martirët e Al-Aksës tha se gra dhe fëmijë janë në mesin e të vrarëve në sulmet ajrore që goditën disa vende në Gazën qendrore, përfshirë në Nuseirat, Zavaida, Magazi dhe Deir al Bala. Edhe një ditë më parë kishte pasur viktima nga sulmet, duke bërë që numri i të vrarëve në 24 orë të arrijë në 56.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar sulmet e fundit ajrore. Megjithatë, në një deklaratë të premten tha se gjatë ditës paraprake kishte sulmuar dhjetëra pika kontrolli dhe qendra të komandës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në mbarë Gazën, nga ku tha se Hamasi po planifikonte të kryente sulme. Ushtria izraelite tha se ka ndërmarrë masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve, duke përdorur municione precize dhe teknologji të vëzhgimit nga ajri.
Teksa lufta në Gazë po vazhdon, bisedimet për arritjen e një armëpushimi pritet të rinisin të premten.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ka autorizuar një delegacion nga agjencia e inteligjencës, Mossad, nga agjencia për siguri të brendshme, Shin Bet dhe ushtria për të vazhduar negociatat në Katar.
Bisedimet, që udhëhiqen nga SHBA-ja, vazhdimisht kanë ngecur gjatë 15 muajve luftë, që u nxit pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023. Hamasi vrau afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje ende janë brenda Gazës dhe të paktën një e treta e tyre besohet se kanë vdekur.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka lënë të vrarë më shumë se 45.500 palestinezë në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Kjo ministri thotë se mbi gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë./REL