Disa të shtëna me armë brenda një klubi nate në kryeqytet u raportuan gjatë natës së ndërrimit të viteve përmes disa videove të publikuara në rrjete sociale.

– Advertisement –
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, dëgjohen qartë të shtënat gjatë performancës së një këngëtari i cili është detyruar të ndërpresë këngën dhe të largohet nga skena.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar policia e cila thotë se si rezultat i këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër.

“Për arsye se hetimi vijon nuk mund të bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu policia thotë se me të marrë sinjalizimin për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, efektivët kanë mbërritur menjëherë në lokalin e natës ku kanë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me ngjarjen.

Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë penale të autorit të dyshuar.