Gazetar: Nevrij Ademi/ TetovaSot

Menduh Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), ka deklaruar se partia e tij do të vazhdojë të mbetet në opozitë dhe nuk do të jetë pjesë e qeverisë, edhe pse vepron jashtë Frontit Europian. Duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari të Klan Maqedoni, Thaçi theksoi se gjendja e shqiptarëve, si rezultat i qeverisjes aktuale, është në një nivel të mjerueshëm.

“E kam thënë që në fillim se ajo nuk ndodh. Jam i vetëdijshëm se do të shpifet, por do të bindeni. Kanë kaluar shtatë muaj dhe as që kontaktojmë. Gjendja është aq e mjerueshme dhe alarmante, sa që gjithkush që mendon ndryshe ose nuk e njeh politikën, ose është bashkëveprues i këtyre që janë në pushtet,” deklaroi Thaçi.

Në lidhje me deklaratat fyese të deputetëve të pushtetit ndaj krerëve të opozitës, Thaçi tha se nuk merr pjesë në debatet në Kuvend dhe as nuk i ndjek ato. Ai shtoi se organizimi politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka marrë një goditje fatale dhe se nevojitet një qasje e re për të riorganizuar forcat politike shqiptare.

“Unë as nuk i shikoj dhe nuk shkoj. Nuk më bëjnë përshtypje. Vijoj të konstatoj se vitin e kaluar organizimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë mori një goditje fatale. Duhet një organizim tjetër, një platformë tjetër. Flas për forcat tjera politike. Kjo situatë mund të përmirësohet vetëm me një qasje të re, ku shqiptarët do të ripërsërisin kërkesat e tyre politike dhe do të kërkojnë një dialog që nuk ka të bëjë me kafezin institucional të maqedonasve, siç është Kuvendi i RMV-së,” përfundoi Thaçi.

Menduh Thaçi shprehu zhgënjimin për situatën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe kritikoi ashpër qeverinë dhe organizimin aktual politik. Ai theksoi nevojën për një riorganizim të politikës shqiptare për të siguruar një qasje të re dhe për t’i dhënë prioritet kërkesave politike të shqiptarëve jashtë institucioneve tradicionale që, sipas tij, nuk përfaqësojnë interesat e tyre./TS/