Ermira Rakipi, një nënë vetëushqyese dhe e punësuar si personel teknik në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, deklaron se prej një viti është viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga kolegu i saj, po ashtu personel teknik në këtë shkollë. Në një intervistë për Klan Maqedoni, ajo rrëfen përjetimet e saj dhe shprehet se ankesat e saj nuk janë marrë seriozisht nga drejtoria e shkollës.

“Arsyeja pse ju kam thirrur sot është sepse kolegu me të cilin ndaj vendin e punës më dëmton vazhdimisht. Në tre apo katër raste më ka rrahur dhe këtë shqetësim e kam shprehur te drejtoria e shkollës, por ata nuk kanë marrë masa në lidhje me rastin. Jo vetëm një herë, por disa herë më ka rrahur. Herën e parë arsyeja ishte banale, gjoja se unë nuk di ta pastroj ose ta laj mjetin e punës. Drejtori më tha se do të marrë masa, por deri më sot nuk ka ndërmarrë asgjë. Unë tani e një vit punoj nën dhunë – dhunë fizike, nënçmim dhe dëmtim të vazhdueshëm nga ana e tij,” deklaroi Ermira Rakipi.

Drejtori i shkollës, Jeton Kamberi, në një prononcim për TS, pranoi se ka pasur mosmarrëveshje mes dy të punësuarve, por mohoi të ketë pasur dhunë. Ai premtoi se javën e ardhshme do të ndërmarrë masa për t’i ndarë nga njëri-tjetri të dy punonjësit.

“Unë jam interesuar nga të dyja palët për të kuptuar sa janë të vërteta këto informacione, por nuk kam mundur të gjej fajtorin apo të pranoj një arsyetim të qartë nga secila palë. Kam punuar në këtë drejtim dhe kam konstatuar se mes tyre ka mosmarrëveshje, por nuk kam konfirmuar dhunë. Kam menduar se kjo problematikë është zgjidhur me dakordësinë e të dy palëve. Besoj se çështja do të rregullohet shumë shpejt, sepse është çështje durimi. Do të ndërmarr masa që ata të ndahen në hapësira të ndryshme pune për të shmangur çdo lloj konflikti,” tha Jeton Kamberi, drejtori i Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”.

Deklaratat e Ermira Rakipit hedhin dritë mbi një situatë të rëndë në vendin e saj të punës, ku ajo pretendon dhunë fizike dhe nënçmim nga kolegu i saj vlen të theksohet se presioni i madh dhe frika që ka përjetuar Ermira nuk ka lejuar që ajo rastin ta denoncoj në Polici. Ne nga java tjetër do të vazhdojm të ndjekim rastin duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ermirën ndërkaq jemi munduar që brenda ditës të gjejm kontakt edhe të kolegut nga i cili Ermira pretendon se po dhunohet por ai për ekipin tonë ka qenë i pa kapshëm./TS/