Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sonte ka mbajtur takim pune me udhëheqësinë e SPB Shkup dhe ka vizituar disa nga nëpunësit policorë në terren të cilët në prag të festës së Vitit të Ri kanë për detyrë të kujdesen për gjendjen e sigurisë dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Mirënjohje e madhe për policinë e Maqedonisë, për çdo polic të Maqedonisë i cili aktualisht nuk është me familjen në shtëpinë e tij, por është në terren në mesin e qytetarëve të Maqedonisë në vendet ku festohet nata e ndërrimit të viteve. Përveç nëpunësve policorë nga të gjithë sektorët të cilët janë në terren, kemi edhe nëpunës policorë të trafikut si në kuadër të SPB Shkup ashtu edhe në kuadër të Sektorëve të tjera të Punëve të Brendshme në Maqedoni. Ne jemi të pranishëm dhe kontrollojmë, do të jemi vigjilentë si polici e Maqedonisë dhe shfrytëzoj rastin që t’u dërgoj një apel të gjithë qytetarëve tanë, veçanërisht atyre që do të festojnë dhe do të konsumojnë alkool këtë mbrëmje, të mos drejtojnë automjetet, si dhe të mos përdoren mjete piroteknike që mund të shkaktojnë lëndime”, theksoi ministri Toshkovski.

Toshkovski theksoi se qytetarët e Maqedonisë mund të ndihen të sigurt dhe u uroi të gjithëve që këtë natë ta kalojnë në një atmosferë të këndshme, të festojnë të qetë dhe me dinjitet, ndërsa policia është prezente dhe me vigjilencë do të monitorojë situatën për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike.