Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nisur një proces të gjerë të shkarkimit të punonjësve të Shtëpisë së Bardhë, duke pastruar administratën nga individë që, sipas tij, nuk përputhen me vizionin e tij për “Ta Bëjmë Amerikën Madhështore Sërish”.
Në një mesazh në platformën personale, Truth Social, Trump njoftoi publikisht largimin e disa zyrtarëve të lartë në një lëvizje të paprecedentë.
“Dita jonë e parë në Shtëpinë e Bardhë nuk ka përfunduar ende!”, shkruante Trump.
“Zyra ime e personelit presidencial është në procesin e identifikimit dhe largimit të mbi një mijë të emëruarve presidencialë nga administrata e mëparshme, të cilët nuk janë në përputhje me vizionin tonë për të ardhmen e Amerikës”.
Ai vazhdoi duke përmendur emrat e katër individëve që tashmë janë shkarkuar:
Jose Andres, nga Këshilli i Presidentit për Sportin, Fitnesin dhe Ushqyerjen
Mark Milley, nga Këshilli Këshillimor Kombëtar i Infrastrukturës
Brian Hook, nga Qendra Wilson për Studiuesit
Keisha Lance Bottoms, nga Këshilli i Eksportit të Presidentit
“Ju jeni të pushuar!”, përfundonte postimi i tij, duke paralajmëruar se shumë emra të tjerë do të pasojnë.
Ndër emrat që tërhoqën më shumë vëmendje ishte gjenerali Mark Milley, i cili u pushua pavarësisht mbrojtjes së fundit që i ofroi presidenti i mëparshëm Joe Biden, në momentet e fundit të mandatit presidencial. Trump ka kritikuar publikisht Milley, duke shkuar deri aty sa të thotë se ai “meritonte të ekzekutohej”.