Mbrëmë rreth orës 21:30 në Ohër është djegur vetura e korrespondentes së SDK.mk Suzana Vrentcovska. Makinës i është vënë zjarri në oborrin e shtëpisë së familjes, në garazhin ku ishte parkuar, transmeton Portalb.mk.

Në vendin e ngjarjes kanë dal një ekip i njësisë zjarrfikëse Territoriale të Ohrit dhe ekipe policore të Sektorit të Punëve të Brendshme të Ohrit, dhe me urdhër të prokurorit publik automjeti BMW X3 është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.

“Me datë 05.01.2025 në ora 21:30 në Stacionin Policor Ohër, S. V. nga Ohri ka raportuar se automjetit të saj “BMW X3” me targa të Ohrit i vënë zjarri para shtëpisë në rrugën “Komuna e Parisit ” në Ohër. Zjarri është shuar dhe nuk ka persona të lënduar. Kontroll është kryer nga ekipi i SPB Ohër dhe me urdhër të prokurorit publik automjeti është dërguar në zonën e SPB-së Ohër. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, ka thënë Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB Ohër.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënoi ashpër incidentin në të cilin ishte djegur vetura e gazetares së SDK, Suzana Vrentcovska nga Ohri.

SHGM-ja thotë se sipas informacioneve fillestare dyshohet se ky është një akt i provokuar qëllimisht.

“I bëjmë thirrje Ministrisë së Brendshme të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë për të përcaktuar të gjitha detajet dhe motivet e kësaj ngjarje të rëndë”, tha SHGM.

Ata theksojnë se ky rast tregon për tendencë shqetësuese të rritjes së rreziqeve me të cilat përballen gazetarët në vend.

Ata kujtojnë se edhe në tetor të vitit 2024, u dogj automjeti i kolegut Bllagoj Sersemov, redaktor i televizionit lokal dhe medias online M-net nga Shtipi.

“U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masa urgjente dhe konkrete për zbardhjen e plotë të të dyja rasteve, dhe autorët duhet të identifikohen dhe të sanksionohen siç duhet”, theksoi SHGM.