78 persona kanë humbur jetën nga zjarri që përfshiu hotelin alpin në Turqi. Sipas autoriteteve të gjitha viktimat janë identifikuar. Mes tyre janë edhe dy miq të ngushtë, Yiğit Gençbay, student i vitit të fundit në Fakultetin e Mjekësisë, dhe Alp Mercan, inxhinier mekanik, të dy 25 vjeç.

Sipas CNN Turk, në momentin e shpërthimit të zjarrit, Yiğit dhe Alp arritën të dilnin nga hoteli dhe të lajmëronin të tjerët se ishin të sigurt. Megjithatë, ata dëgjuan thirrje për ndihmë nga brenda ndërtesës dhe vendosën të ktheheshin për të shpëtuar të tjerët. Fatkeqësisht, ky gjest heroik rezultoi fatal për të dy. Trupat e tyre u gjetën pa jetë pas shuarjes së zjarrit.

Tragjedia ka prekur thellë familjet dhe miqtë e tyre. Trupat e dy shokëve iu dorëzuan familjeve pas procesit të identifikimit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Ankara. Yiğit Gençbay u përcoll për në banesën e fundit në varrezat İncek, ndërsa Alp Mercan u varros në Gölbaşı, mes lotëve dhe dhimbjes së thellë të familjes dhe komunitetit.

Nihan Ece Mercan, motra e Alp-it, rrëfeu lidhjen e ngushtë mes të dyve, që kishte nisur që në shkollë të mesme. “Ata ishin gjithmonë bashkë, nuk u ndanë kurrë, as në këtë jetë e as në përjetësi. Ata janë shembull i kurajës dhe sakrificës,” tha ajo për CNN Turk.

Ngjarja ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e të gjithëve, duke kujtuar veprën e tyre heroike dhe vetëmohimin për të shpëtuar jetë të tjera.