Presidenti Donald Trump tha se helikopteri i ushtrisë Black Hawk po fluturonte më lart se sa duhej në momentin që u përplas me avionin e kompanisë American Airlines pranë aeroportit Reagan në Uashington, në atë që duket se është elementi më i rëndësishëm që është mësuar deri më tani lidhur me hetimin.

Forcat e Armatosura nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Reuters.

Zaonisht, helikopterët ushtarakë fluturojnë mbi lumin Potomak, pranë aeroportit të ngarkuar “Ronald Reagan”, në atë që njihet si “Korridori 4”. Për arsye sigurie, lartësia maksimale që duhet të fluturojë helikopteri është 61 metra.

“Helikopteri Blackhawk po fluturonte në një lartësi shumë më të madhe se sa kufiri prej 61 metrash. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar, apo jo”, shkroi Presidenti Trump në një postim në rrjetin Truth Social.

Një sërë agjencish amerikane po vazhdojnë të hetojnë shkakun e përplasjes që shkaktoi vdekjen e 67 personave.

Operacioni i kërkimit në lumin Potomak, ku ranë dy mjetet ajrore, po vazhdon.

Deri tani janë gjetur trupat e të paktën 28 personave.

Hetuesit gjetën të enjten të ashtuquajturat kutitë e zeza të avionit, i cili u nda në tre pjesë kur ra në lumë.

Bordi i Sigurisë së Transportit Kombëtar do të mbledhë informacion nga kutitë e zeza të avionit- regjistrimin e të dhënave të fluturimit dhe komunikimin zanor brenda kabinës, në përpjekje për të gjetur arsyet e përplasjes.

Hetuesit kanë nisur të shqyrtojnë çdo element të përplasjes, përfshirë pikëpyetjet se përse helikopteri Black Hawk po fluturonte mbi lartësinë e lejuar dhe nëse në kullën e trafikut ajror kishte aq personel sa duhej.

Sipas një raporti të brendshëm të Administratës Federale të Aviacionit, në momentin e përplasjes, kishte vetëm një kontrollor, nga dy që caktohen zakonisht në kullën vrojtuese të aeroportit.

Nuk ka asnjë të mbijetuar mes 60 pasagjerëve dhe 4 anëtarëve të ekuipazhit të aeroplanit dhe ekuipazhit prej tre pjesëtarësh helikopterit.

Të enjten pasdite, Presidenti Donald Trump firmosi dy urdhra ekzektutivë, përfshirë një për emërimin e në zëvendësadministratori të Administratës Federale të Aviacionit. Urdhri tjetër anuloi nismat federale për diversitetin në sektorin e aviacionit.

Presidentit Trump tha se çdo burim në nivel lokal, shtetëror dhe federal ishte vënë në dispozicion të operacionit të kërkimit./VOA