Siria është vendi i cili ka festuar më shumë ardhjen e Vitit të Ri në Lindjen e Mesme. Qindra banorë u mblodhën në një treg Krishtlindjesh në Damask për të festuar Vitin e Ri me fishekzjarrë në orët e para të së mërkurës.

Turmat shihen duke shëtitur nëpër treg përpara shfaqjes së fishekzjarrëve. Disa valëvitën flamujt e Sirisë dhe e regjistruan eventin nëpër telefonat e tyre.

Shumica e të pranishmëve në festë shprehen se kjo është festa e parë e madhe pa praninë e Bashar Al-Assad. Pavarësisht nga argëtimi, ushtarët patrulluan rrugët e Damaskut. Flamuri i “revolucionit” jeshil, bardh e zi me tre yjet e tij të kuq shfaqej në të gjithë kryeqytetin.

Rënia e Asadit i dha fund më shumë se gjysmë shekulli sundimit të pakundërshtueshëm nga klani i familjes së tij mbi Sirinë, ku disidenca u shtyp dhe liritë publike u kufizuan shumë.

Ndërkohë Rripi i Gazës përjetoi një tjetër masakër natën e ndërrimit të viteve. Sulmet izraelite vranë të paktën nëntë palestinezë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët të mërkurën. Një raketë goditi një shtëpi në zonën Jabaliya të Gazës veriore, pjesa më e izoluar dhe e shkatërruar rëndë e territorit, ku Izraeli ka zhvilluar një operacion të madh që nga fillimi i tetorit.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se shtatë persona u vranë, duke përfshirë një grua dhe katër fëmijë, dhe se të paktën një duzinë të tjerë u plagosën.

Një tjetër sulm gjatë së mërkurës në kampin e ndërtuar të refugjatëve Bureij në Gaza qendrore vrau një grua dhe një fëmijë, sipas Spitalit të Martirëve Al-Aksa, i cili mori trupat.

Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250. Rreth 100 pengje mbahen ende në Gaza, të paktën një e treta e të cilëve besohet të jenë të vdekur. (A2 Televizion)