Të paktën 12 palestinezë kanë vdekur si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, në natën e Vitit të Ri. Viktimat kryesisht janë gra dhe fëmijë, bënë të ditur zyrtarët shëndetësorë palestinezë të mërkurën.
Sulmi goditi një shtëpi në zonën Jabalia të Gazës veriore, e cila është pjesa më e shkatërruar e territorit, ku Izraeli ka zhvilluar një operacion të madh që nga fillimi i tetorit.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës bëri të ditur se në Jabalia shtatë persona u vranë, duke përfshirë një grua dhe katër fëmijë. Dhjetëra të tjerë u plagosën. Një tjetër sulm gjatë natës në kampin e refugjatëve Bureij në Gaza qendrore la të vdekur një grua dhe një fëmijë, raporton AP.
Ushtria izraelite ka raportuar se militantët qëlluan me raketa Izraelin nga zona Bureij gjatë natës dhe se forcat e saj u përgjigjën me një sulm që synonte militantët. Sipas ushtrisë, janë dhënë edhe urdhrat për evakuim të banorëve.
E sipas të dhënave nga spitali Nasser në qytetin jugor të Khan Younisit, një sulm i tretë izraelit gjatë së mërkurës, shkaktoi vdekjen e tre personave.
Lufta filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer rreth 250. Rreth 100 pengje mbahen ende në Gaza, të paktën një e treta e të cilëve mendohet të jenë të vdekur.
Në hakmarrje Izraeli ka vrarë mbi 45 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Sipas kësaj ministrie, gratë dhe fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e viktimave, por nuk bëhet e ditur se sa nga të vrarët janë militantë.
Ushtria izraelite pretendon se synon vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve. Sipas ushtrisë, deri më tani janë vrarë 17 mijë militantë, megjithëse nuk janë dhënë prova për këto të dhëna.