Lëvizjës Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti tashmë i ka ardhur një përkrahje politike nga Maqedonia e Veriut. Koalicioni i disa partive politike shqiptare, i njohur gjerësisht si “VLEN”, është aktivizuar në përkrahje të kryeministrit Kurti dhe VV-së për zgjedhjet e 9 shkurtit. Disa me postime në rrjete sociale, disa të tjerë me pjesëmarrje direkte në fushatë. Çka po ndodh?

Përkrahjen deri më tani më të zëshme e ka bërë Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Në një postim në faqen e tij në Facebook, Taravari e lavdëroi shumë Kurtin, duke shkruar se Kosova nuk mund të gjejë kryeministër më të mirë.

“Kosova nuk ka ku gjen kryeministër më të mirë se Albin Kurti. Dashuria e tij për Kosovën dhe njerëzit e saj rezonon cep më cep” – ka shkruar Taravari.

Përveç fjalëve të mëdha për Kurtin, Taravari mori pjesë edhe tubimin e VV-së në Vushtrri, nga ku shpërndau një video.

Më pak i zëshëm ishte Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, shpërndau veç një “story” në faqen e tij në Facebook, ku ftoi qytetarët e Maqedonisë së Veriut me pasaportë kosovare të regjistrohen për votim.


Mexhiti e dërgoi edhe një përfaqësuese të LD-së në tubimin e VV-së me gratë në Prishtinë. Më sakte, Saranda Imeri – Stafai, kryetar e gruas së LD-së, ishte pejsë e tubimit të VV-së, nga ku publikoi edhe një fotografi.

Ndërsa Bekim Qoku, udhëheqës i VV-së në Maqedoni të Veriut, ishte goxha aktiv në përkrahje. Madje, ai hapi edhe një shtab zgjedhor për VV-në e Kurtin në Shkup.

“Lëvizja Vetëvendosje! hap shtabin zgjedhor në Shkup.

Qendra do të shërbejë për të informuar dhe orientuar të gjithë ata qytetarë të MV që kanë të drejtë për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Për të qenë pjesë e 500K zemrave që rrahin si një” – kishte shkruar Qoku.

Ndonëse Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, kryetar i Komunës së Tetovës, nuk ka publikuar ende ndonjë shkrim në mbështetje të Kurtit, së paku kanë dhënë një kontribut specifik. Më saktë, siç ishte raportuar në media, Levizja Besa ka tentuar të kontribuojë me njerëz në fushatë.

“Nesër, ora 19:00, Lëvizja Vetëvendosje e ka tubimin e saj në Ferizaj në palestrën sportive “Bill Clinton”. Prezent nga Lëvizja Besa do të jenë Adnan Azizi dhe Besar Durmishi. Kush ka dëshirë është mirë që të organizohet dhe të shkojmë sa më shumë vetura” – thuhej në njoftimin e Lëvizjes Besa në Viber.

Nuk dihet nëse kjo përkrahje do të sjellë ndonjë votë për kryeministrin Kurti, i cili gjatë kësaj fushate përdori gjuhë politikisht jokorrekte, e për të cilën u dënua disa herë nga PZAP.

Sjellim ndër mend që kryeministri Kurti në zgjedhjet e vitit të kaluar ishte rreshtuar në mënyrë të hapur në favor të koalicionit VLEN. Madje, Kurti ishte bërë kumbarë i bashkimit të liderëve të këtij koalicioni, gjë e cila kishte ndodhur në zyrën e Kurtit në objektin e Qeverisë së Kosovës./Nacionale/