Shkruan: Florim Zeqa
Kaloj java e parë e fushatës zgjedhore e partive politike nën atmosferën e fitores së 9 shkurtit! Secili subjekt në mënyrën e vet u mundua të promovoj vlerat e kandidatëve në garë dhe të kandidatëve për kryeministra, por jo edhe programin qeverisës së partisë së tyre!
Ulurimat e liderëve, presion psikologjik ndaj qytetarëve
Tubimet e partive politike dallojnë vetëm nga flamujt partiak dhe përmbajtja, por jo edhe nga premtimet! Pothuajse në të gjitha tubimet e partive politike i dëgjojmë të njëjtat premtime për mirëqenjen e qytetarëve!
Dallimi mes njërit tubim në tjetrin janë numrat e partive dhe shifrat astronomike të premtimeve qoftë për rritje të pagave apo për investime që dëgjojmë çdo mbrëmje qoftë në transmetime të drejtpërdrejta televizive apo në kronika zgjedhore!
Në secilin tubim partiak, në rreshtin e parë është lideri i partisë me rrethin e ngushtë të tij, në rreshtin e dytë kandidatët për deputet, në rreshtin e tretë vërehen militantët partiakë, ndërsa pas rreshtit të katërt e tutje janë simpatizantët të cilët barten me autobus nga njëri qytet në tjetrin.
Në secilin qytet, në rreshtat e parë janë të njëjtit njerëz, e njëjta skenë dhe i njëjti lider që zhurmon me zërin e lartë për t’u treguar sa më bindës para masës së njerëzve për fitoren e tij më 9 shkurt 2025.
Aq shumë bërtasin dhe ekzaltohen liderët partiakë në tubimet elektorale saqë njeriu i zakonshëm e ka të vështirë të kuptoj gjendjen emocionale të tyre. Madje nganjëherë dalin fare nga normaliteti, duken të frikshëm me mimikën e tyre, thuajse duan të eksplodojnë!
Përseritja e numrave zgjedhor nga dhjetra herë, me qëllim të ngulitjes në mendjen e votuesve s’është gjë tjetër veqse presion psikologjik i panevojshëm për qytetarët e vendit.
Të dashur qytetar të vendit tim, mos u ndikoni nga tubimet elektorale, ngase ato nuk e përcaktojnë fuqinë reale të partive politike, e më së paku vlerën e tyre. Mos u ndikoni as nga premtimet megalomane, e për më tepër se kaq, mos bini pre e gjuhës së urrejtjes së liderëve partiak, të cilët, ndoshta pas zgjedhjeve do t’i shihni bashkë në koalicion paszgjedhor në qeverisjen e vendit!