Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nënsekretari amerikan i Shtetit për Rritje Ekonomike, Energji dhe Ambient, Jose Fernandez, i ka konfirmuar që Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS). Vuçiq është takuar gjatë ditës edhe me ambasadorin amerikan në Serbi, Kristofer Hill, dhe mes tjerash ka thënë të ketë diskutuar edhe për NIS-in dhe sanksionet eventuale.

“Ata do të vendosin sanksione, jo vetëm financiare, por sanksione të plota ndaj kompanisë NIS. Këto nuk do të jenë sanksione kundër kompanive që janë në pronësi ruse, apo që financohen nga bankat ruse, por do të jenë sanksione të drejtpërdrejta ndaj kompanisë tonë NIS”, deklaroi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Sipas Vuçiqit, Uashingtoni do t’i japë Serbisë afat prej 30 ditësh “të rishikojë situatën dhe të marrë veprime, dhe brenda 60 ditëve të përfundojë gjithçka”. Ai i ka propozuar sërish Qeverisë serbe që t’i formojë dy ekipe, në koordinim me kryeministrin, për të biseduar me palën amerikane dhe atë ruse. Vuciq ka përmendur se Serbia ka lidhje të mira me njerëzit në administratën e re të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, por edhe që synon të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në pjesën e dytë të janarit.

Vuçiq pati thënë edhe më 13 dhjetor se SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj NIS-it brenda ditësh, për shkak se kjo kompani, që dikur ka qenë shtetërore, tani është në duart ruse. Prej viti 2008, NIS-i është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe kompanisë së saj amë, Gazprom. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë futur Gazprom Neftin në listë të zezë më 2014, pasi Rusia pati aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë. Gazprom, ndërkaq, nuk është në listën e sanksioneve të Perëndimit.