Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 1 janar se dhënia e fund e furnizimeve me gaz rus në Evropë, përmes një gazsjellësi që kalon në tokën ukrainase, përbën humbje për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Kur Putin është bërë president i Rusisë më shumë se 25 vjet më parë, sasia e gazit natyror që ka kaluar përmes Ukrainës në Evropë, ka qenë më shumë se 130 miliardë metra kub në vit. Tani është zero”, ka thënë Zelensky në X – platormë e njohur më parë si Twitter.

“Kjo është një prej humbjeve më të mëdha të Moskës. Si rezultat i shfrytëzimit të energjisë si armë, nga ana e Rusisë, dhe shantazhimit të partnerëve, Moska e ka humbur një prej tregjeve më profitabile dhe të qasshme gjeografikisht”, ka thënë ai.

Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi gjiganti shtetëror rus, Gazprom, ka thënë se i ka pezulluar furnizimet me gaz në Evropë përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrianë, pasi Kievi ka refuzuar të vazhdojë kontratën e nënshkruar para se Moska të niste luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Kjo do të thotë se Ukraina do të humbë 800 milionë dollarë në vit që i siguronte nga tarifat e transitit.

Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë gati 5 miliardë dollarë, në mungesë të shitjes së gazit.

Zelensky ka thënë se shumica e shteteve evropiane u janë përshtatur ndryshimeve, por ka përmendur që Ukraina dhe aleatët duhet ta mbështesin Moldavinë në periudhën e transformimit energjetik.

Moldavia është ende pjesërisht e varur prej gazit rus.

Zelensky ka thënë se Ukraina shpreson në rritjen e furnizimeve me gaz amerikan në Evropë, dhe që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, veçse e ka përmendur këtë mundësi.

“Sa më shumë gaz i qasshëm në tregje për partnerët e vërtetë të Evropës, aq më shpejt do të eliminohet varësia ndaj Rusisë”, ka thënë ai.

Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.

Sllovakia, Hungaria, Austria, dhe disa vende të Ballkanit kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes Ukrainës – ndonëse të sasi të zvogëluara – edhe pas nisjes së luftës.

Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL