Oreksi vjen duke ngrënë. Lautaro Martinez dhe Simone Inzagi e thonë hapur që zikaltrit kërkojnë të fitojnë Champions-in.

Sipas tyre rrugëtimi ka qenë i jashtëzakonshëm, por nuk duhet të ndalen tani.LAUTARO- “Championsi për ne është objektiv dhe nuk duhet të fshihemi. Ne luftojmë për të fituar çdo kompeticion ku marrim pjesë.

Tani mendojmë për Milanin. Është një ndeshje e madhe. Në kampionat nuk na falen më hapat e gabuar. Fituam një ndeshje të rëndësishme ndaj Monakos.

Skuadra pati qasjen e duhur. Jam i lumtur sepse Interi u kualifikua mes 8 më të mirave. Çmimi si lojtari i ndeshjes shkon për tim bir dhe familjen që ishin në stadium. Jam krenar që kam arritur të thyejë rekorde të shumta, por unë jam më i lumtur kur Interi fiton.

Vendi i katërt? Ne jemi një skuadër e madhe dhe duhet të na respektojnë në Europë. Ashtu siç bëjmë ne. Kemi arritur në finale 2 vite më parë dhe meritonim më shumë me Sitin. Edhe kundër Atletikos humbëm kot vitin e kaluar. Por tani jemi këtu për ta çuar Interin sa më lart. Jam krenar për gjithçka”.

INZAGI- “U bëra komplimente djemve sepse kemi bërë ndeshje të rëndësishme. Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm sepse jashtë tetë më të mirave kanë mbetur skuadra të forta. Kemi pësuar vetëm një gol në këtë kompeticion ndaj Leverkusenit.

Tani objektivi është që të shkojmë deri në fund të çdo kompeticioni. Por edhe rivalët duan që të bëjnë të njëjtën gjë.

E kam thënë që nga dita e parë e grumbullimit. Unë e di çfarë do të thotë të prezantosh Interin në Europë.

Jemi duke fituar trofe në këto 4 sezone. Kemi ambicie dhe nuk ndalemi. Në fazën e 1/8-ave do të kemi një ekip italian ose një holandez. Gjëja më e vështirë e këtij Champions-i është që t’i përgatisnim ndeshjet me 8 rivalë të ndryshëm. Donim të bënim një rrugë të jashtëzakonshme dhe ia dolëm”.