Zjarri në një qendër tregtare në Dallas ka vrarë më shumë se 500 kafshë.

Qentë, macet dhe pulat ishin ndër kafshët që ngordhën nga thithja e tymit pas zjarrit, raportuan autoritetet.

Më konkretisht, 579 kafshë, shumica e të cilave ishin zogj të vegjël, ndodheshin në një dyqan kafshësh në Plaza Latina në Dallas të Teksasit, ku dje ka rënë zjarri, raporton skynews.

Zjarri u shua nga rreth 45 zjarrfikës për dy orë, tha zëdhënësi i DFR (Dallas Fire and Rescue), Jason Evans. Edhe pse flakët nuk i kapën kafshët, ato vdiqën nga thithja e tymit. Sipas Evans, qindra zogj ngordhën, si dhe pula, lloj brejtësish, dy qen dhe dy mace.

“Megjithë përpjekjet tona të kërkimit dhe shpëtimit, të gjitha kafshët në dyqan fatkeqësisht ngordhën nga thithja e tymit”, tha Evans.

Nga zjarri nuk ka të lënduar, i cili ka dëmtuar rëndë strukturën e qendrës tregtare njëkatëshe dhe ka shembur pjesërisht çatinë. Shkaku i zjarrit është ende nën hetim.

Ndryshe, Plaza Latina përshkruhet si një vend ku njerëzit mund të hanë dhe të blejnë një sërë produktesh të Amerikës Latine.