Nga Lëvizja ZNAM thonë se është i paqartë njoftimi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, që Ilire Dauti nuk do të shkarkohet nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Sport, edhe përkundër faktit që mbrëmë kaloi në Kuvend interpelanca për të njëjtën, përcjell TV21. Nga ZNAM thonë se opozita duhet të propozojë kandidat të ri për këtë funksion.

“Për Lëvizjen ZNAM – Për Maqedoninë tonë është plotësisht e paqartë se në çfarë bazohet njoftimi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, se votimi i interpelancës nuk do të rezultojë me shkarkimin e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografia dhe Sporti, znj. Dauti. Që nga seanca e djeshme e Kuvendit në të cilën u votua interpelanca për zonjën Dauti, rezultati është shumë i qartë për ne. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka konstatuar se znj. Dauti padyshim e ka shkelur Rregulloren e punës dhe sanksioni për shkeljen e Rregullores është shkarkim për personin që e ka bërë atë shkelje. Për Lëvizjen ZNAM- Për Maqedoninë tonë, me miratimin e interpelancës, edhe Ilire Dauti nuk mund të ushtrojë më funksionin e kryetares në trupin punues të Kuvendit. Presim që opozita, së cilës sipas shpërndarjes së mëparshme i është dhënë mandati i kryetarit në këtë komision, të hënën menjëherë të propozojë një kandidat të ri për këtë post”, thonë nga ZNAM.