Prokuroria e Beratit ka urdhëruar arrestimin e tre personave që lidhen me skandalin ushqimor që përfshin mbi 21 000 kg mandarina të kontaminuara me pseticide të ndaluara.
Tre të arrestuarit janë fermeri E.T., grumbulluesi A.D. dhe inspektori E.T., të akuzuar për “shpërdorim detyre,” “shkelje të rregullave për lëndët helmuese,” “prodhim dhe shitje të ushqimeve të rrezikshme për jetën e njerëzve” dhe “mashtrim me produktet ushqimore”.
Nga hetimet mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Autoriteti Kombëtar të Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme Tiranë pas refuzimit në Kroaci të 21593 kg mandarina klementine të dyshuara me pesticide fosmet, rezultoi se produkti është blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë.
“Nga analizat, u konstatua se tek kjo sasi mandarinash kishte mbetje pesticidi “Fosmet” mbi normën e lejuar (0.075 mg/kg -vlera elejuar ≤ 0.01 mg/kg). Në një kohë kur ky pesticid është hequr nga përdorimi nga viti 2022 dhe nuk lejohet të përdoret. Konsumimi i një fruti që përmban mbetje të fosmetit mbi nivelet e lejuara mund të sjellë pasoja për shëndetin e njeriut, veçanërisht nëse ekspozimi është i përsëritur, pasi fosmeti është një kimikat toksik.
Nga hetimet rezultoi se procedura e kthimit të produktit të pasigurt, është bërë pa dijeninë e AKU dhe fermeri E.T. tha se ka asgjësuar produktin e kthyer nga operatori i biznesit ushqimor në një vend të paidentifikuar. Vetë fermeri pretendoi se e kishte hedhur mallin në landfillin e Bashkisë Dimal ku ndërkohë nga këqyrja rezultoi se nuk kishte asnjë mbetje produkti. Gjithashtu në deklarimin e dhënë në AKU sipas procesverbalit të konstatimit rezulton të ketë deklaruar se e ka hedhur mallin në kanale të rastësishme.
Ndërkohë, punonjësi i DRVMB Berat inspektori E.T., në lidhje me këtë rast, ka deklaruar se punon prej 5-vitesh në këtë pozicion dhe ka për detyrë të monitorjë bimët dhe të lëshojë certifikatat fito sanitare. Ai deklaroi se ka shkuar tek fermeri pas ngritjes së grupit të punës dhe se mostrat i ka marë në pemë tek fermeri. Por duke qënë se është personi përgjegjës i cili certifikon mallrat për eksport, ka deklaruar se ka pasur raste që i dërgonte bosh certifikatat tek subjekti dhe vetë subjeti i plotësonte dhe ja dërgonte të plotësuara me foto dhe ai më pas i regjistronte në databasën e DRVMB.