Agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar dy burime ruse, raportoi të hënën se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara arabe shihen nga Rusia si vende të mundshme për një samit mes presidentëve të ShBA-së e Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin.

Zyrtarët rusë në mënyrë të përsëritur kanë mohuar se ka pasur ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me ShBA-në rreth përgatitjeve për një telefonatë mes Trumpit e Putinit, e cila do të mund të zhvillohej para një takimi të mundshëm mes tyre më vonë këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, zyrtarë të lartë rusë i kanë vizituar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe javëve të fundit, sipas burimeve ruse, të cilat folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.

Një burim tha se ende ekziston ca kundërshtim ndaj kësaj ideje në Rusi, pasi disa diplomatë dhe zyrtarë të inteligjencës po i përmendin lidhjet e ngushta ushtarake dhe të sigurisë që këto dy shtete i kanë me Shtetet e Bashkuara.