Pasagjerëve të fluturimit Delta Airlines që u ul në Toronto këtë javë u janë ofruar 30,000 dollarë (28,760 euro) si kompensim.

Fluturimi 4819 u përfshi nga flakët dhe u përmbys gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Toronto Pearson më 17 shkurt.

Fatmirësisht, asnjë nga 80 personat në bord nuk humbi jetën, por 21 pasagjerë u plagosën dhe u dërguan në spital, nga të cilët 20 janë tashmë të liruar.

Një zëdhënës i Delta tha se oferta financiare nuk ka kushte të fshehura dhe nuk ndikon në të drejtat ligjore të pasagjerëve, duke lënë të hapur mundësinë për padi ndaj kompanisë. Nëse të gjithë pranojnë kompensimin, linja ajrore do të paguajë rreth 2.3 milionë dollarë në total.

Dëshmitë dhe pamjet nga vendngjarja tregojnë se avioni u ul me forcë, duke shkaktuar shkëputjen e krahut të djathtë dhe shpërthimin e flakëve.

Një pasagjer, Pete Carlson, përshkroi momentin e përplasjes si një tronditje të papritur, ku avioni rrëshqiti dhe u rrokullis mbi shpinë.

Ai raportoi gjithashtu rrjedhje karburanti dhe erë të fortë gazi, duke shtuar se pasagjerët u përpoqën me shpejtësi të evakuoheshin nga avioni i përmbysur.

Ekspertët e aviacionit po hetojnë shkaqet e mundshme të aksidentit, duke shqyrtuar kushtet atmosferike, veprimet e pilotëve dhe gjendjen e pajisjeve të uljes.

Në momentin e aksidentit, aeroporti përjetonte borë të dendur dhe erëra me shpejtësi deri në 65 km/h, çka mund të ketë ndikuar në uljen e avionit.

Megjithatë, sipas ekspertëve, udhëtimi ajror mbetet jashtëzakonisht i sigurt, pavarësisht disa aksidenteve të fundit në Amerikën e Veriut.

Përmirësimet në teknologjinë e avionëve, stërvitja e ekuipazheve dhe dizajni i sigurt i ndenjëseve kanë ndihmuar në mbrojtjen e pasagjerëve edhe në raste përplasjesh.