Reperi dhe producenti Sean “Diddy” Combs përballet me akuza të reja për sulm seksual, këtë herë nga një burrë që pretendon se ai u drogua dhe u përdhunua nga Combs në një klub nate në New York në vitin 2012, kur ishte vetëm 17 vjeç.
Sipas dokumenteve gjyqësore, paditësi, i identifikuar si John Doe, arriti të hynte në klub me një dokument të rremë dhe u ftua në tryezën private të Combs, ku iu shërbyen disa gota vodka.
Ai pretendon se pas konsumimit të pijeve filloi të ndihej i mjegulluar, humbi kontrollin e trupit dhe më pas u çua në një dhomë të pasme ku njerëzit po përdornin drogë dhe shoqëroheshin me punonjëse seksi, shkruan BBC.
P Diddy (Foto: EPA-EFE)
Në deklaratën e tij, ai thotë se ndërsa hynte dhe dilte nga vetëdija, nuk mundi të ndalonte atë që po ndodhte. Ai pretendon se ishte i pambrojtur dhe u përdhunua nga Combs në dhomën e pasme të klubit.
Diddy ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe përmes avokatit të tij ka deklaruar për BBC: “Në gjykatë, e vërteta do të dalë në pah: Z. Combs kurrë nuk ka sulmuar seksualisht apo trafikuar askënd – burrë apo grua, të rritur apo të mitur”.
Ndërkohë, reperi Kanye West ka kërkuar që ish-presidenti Donald Trump ta falë Diddy përpara gjyqit të tij penal federal.
West postoi në X (ish-Twitter) një mesazh të drejtpërdrejtë: “FREE PUFF”, duke shtuar një thirrje drejtuar Trump që të lirojë Diidy-n.
Combs aktualisht përballet me mbi 30 padi civile për sulme seksuale dhe sjellje të pahijshme, ndërsa avokatët e akuzuesve paralajmërojnë edhe më shumë padi në të ardhmen.
Ai ndodhet në një burg të New York-ut në pritje të gjyqit penal federal për trafikim seksual dhe shantazh.