Alarmohet Real Madridi, ylli i skuadrës në dyshim për derbin ndaj Atleticos

Real Madridi do të përballet edhe me një kokëdhimbje, pas humbjes për rreth dy muaj të Dani Ceballosit, shkaku i lëndimit mbrëmë.

Bëhet fjalë për një nga yjet e skuadrës, i cili vetëm në dy ndeshjet e fundit ka marrë pushimin e merituar, duke luajtur më së shumti minuta në top pesë ligat europiane.

Të enjten, Kylian Mbappe iu rikthye stërvitjeve, pasi mungoi mbrëmë në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit ndaj Real Sociedadit, shkaku i nxjerrjes së një dhëmbi.

Prezenca e tij ndaj Real Betisit nuk është në dyshim, me francezin që do të kthehet menjëherë në formacionin startues.

Ceballosi tashmë është jashtë për dy muaj, dhe Carlo Ancelottit i duhet të gjejë një partner në mesfushë për Aurelien Tchouamenin. Luka Modric, Eduardo Camavinga ose Federico Valverde janë mundësitë e trajnerit italian.

Por, që tashmë edhe ky i fundit nuk është i sigurt që do të jetë pjesë e ndeshjes me Real Betisin.

Uruguajani ka disa javë që ka probleme muskulore, por që është munduar t’i përballojë, deri në ndeshjen ndaj Osasunas.

Ndeshjen pas saj, me Manchester Cityn, Valverde kishte luajtur me injeksione kundër dhimbjes.

Andaj ishte planifikuar që ai të pushojë në ndeshjet ndaj Gironas dhe Real Sociedadit, duke mos udhëtuar fare me ekipin.

“Relevo” raporton se Valverde është në dyshim goxha të madh për ndeshjen ndaj Betisit në “Benito Villamarin”, derisa paraqitja e tij është në rrezik edhe për ndeshjen e parë ndaj Atletico Madridit në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Mungesa e Fede Valverdes normalisht që do të ndjehet, pasi për ndeshjen ndaj Atleticos, përveç Militaos, Carvajalit, Ceballosit, mungesë do të jetë edhe Jude Bellingham, shkaku i kartonëve.