Kompania për menaxhimin e mbetjeve komunale “Saubermacher” Tetovë ka bërë një apel publik ndaj qytetarëve, duke kërkuar më shumë përgjegjësi në shlyerjen e obligimeve financiare dhe respekt ndaj punonjësve të saj.
Sipas njoftimit, disa individë jo vetëm që nuk kanë paguar tarifat për shërbimet e ofruara prej 13 muajsh, por gjithashtu po pengojnë dhe sulmojnë punonjësit e kompanisë, veçanërisht gratë që punojnë në pastrimin e qytetit.
“Ky veprim është i papranueshëm dhe dëmton jo vetëm procesin e grumbullimit të mbetjeve, por edhe integritetin e atyre që punojnë me përkushtim për mirëqenien e të gjithëve,” thuhet në deklaratën e kompanisë.
“Saubermacher” Tetovë u bën thirrje qytetarëve që:
1. Të shlyejnë detyrimet financiare për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve.
2. Të respektojnë punonjësit që kryejnë këtë detyrë të rëndësishme për pastërtinë e qytetit.
3. Të tregojnë qytetari dhe mirëkuptim, duke ruajtur një komunikim të qetë dhe të respektueshëm.
“Vetëm me bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët mund të sigurojmë një qytet më të pastër dhe një mjedis të shëndetshëm për të gjithë,” përfundon njoftimi.