Asnjë informacion për programin “Shkupi Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028”, nuk dihet as kush është në trupin koordinues

Asnjë institucion i vetëm, asnjë person përgjegjës nuk del publikisht me informacione për atë që po ndodh me programin Shkupi Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028. Nuk ka informacion për planet dhe projektet e ardhshme as në faqen zyrtare Shkupi2028, për dallim nga ueb-faqet e qyteteve Çeske Budejovice në Republikën Çeke dhe Bourges në Francë, me të cilat Shkupi do të ndajë këtë titull, transmeton Portalb.mk.
Në faqen zyrtare të Shkupi 2028, ka informacione të përgjithshme për Shkupin, ka njoftime për ngjarje si një lloj udhërrëfyesi kulturor, por nuk ka informacion se kush është anëtar i Trupit Koordinues, e as foto. Deri më tani nuk është mbajtur asnjë konferencë tematike për shtyp për Shkupi 2028, e as nuk është prezantuar ekipi që do ta organizojë atë.
Ndryshe nga Shkupi, në faqen e Bourges 2028 është publikuar një fotografi grupore e të gjithë ekipit, është bërë e ditur se përfshin 21 njerëz të përkushtuar dhe se këtë vit do të monitorojnë nga afër zhvillimin e projekteve nga Chemnitz (Gjermani) dhe Nova Gorica (Slloveni/Itali), kryeqytete të kulturës evropiane për vitin 2025.
Ashtu si Burg, edhe Çeske Budovice ka publikuar ekipin me foto dhe emra e mbiemra në faqen e saj, si dhe informacione rreth projekteve.
Kryeqyteti i Maqedonisë më 20 shtator 2023 është shpallur Kryeqytet evropian i kulturës për vitin 2028. Shkupi është një nga tre kryeqytetet evropiane të kulturës. Përveç Shkupit, kryeqyteti i kulturës evropiane tashmë është shpallur edhe qyteti çek Çeske Bugjejovice, ndërsa kryeqyteti i tretë do të zgjidhet më 13 dhjetor në garë mes qyteteve franceze Bourges, Clermont-Ferrand, Montpellier dhe Ruen.