BDI informon BE-në, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, duke rrezikuar strukturën multietnike të shtetit!

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka informuar zyrtarisht Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbi shqetësimet e thella në lidhje me përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit në Maqedoninë e Veriut.

Për më shumë se dy dekada, përmes përpjekjeve të përbashkëta me komunitetin ndërkombëtar dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, është bërë përparim i rëndësishëm në integrimin e popullit të dytë më të madh në vend në strukturat shtetërore.

Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një prirje shqetësuese të kundërt, me përjashtim sistematik të shqiptarëve në shumë sektorë kyçë të qeverisjes dhe administratës publike.

Në fushën e kulturës, ndarja e fundit e fondeve shtetërore tregon një mospërfaqësim të dukshëm të shqiptarëve, ku projektet shqiptare kanë marrë më pak se 12% të buxhetit, ndonëse shqiptarët përbëjnë midis mbi 29% të popullsisë së vendit.

Kjo ngre shqetësime serioze mbi qëndrueshmërinë e institucioneve kulturore shqiptare dhe mbështetjen e barabartë të barazisë kulturore në Maqedoninë e Veriut.

Në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, situata paraqitet edhe më alarmante:

Asnjë shqiptar në mesin e 10 drejtorëve të drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes.
Asnjë shqiptar në mesin e 29 udhëheqësve të njësive brenda ministrisë.
Vetëm 1 shqiptar mes 12 këshilltarëve kryesorë të ministrisë.
Këto të dhëna dëshmojnë një proces sistematik të përjashtimit të shqiptarëve nga rolet vendimmarrëse në institucionet shtetërore, i cili vë në pikëpyetje përkushtimin e qeverisë ndaj qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe respektimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Me këtë po rrezikohet struktura multietnike e shtetit

Kjo prirje e organizuar e marginalizimit nuk është një fenomen i izoluar, por një zhvillim sistematik që kërcënon barazinë institucionale dhe procesin e integrimit euroatlantik të vendit.

Maqedonia e Veriut ka përfituar ndihmë të madhe nga partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar institucione të barabarta dhe gjithëpërfshirëse, por këto parime po sfidohen drejtpërdrejt përmes këtyre vendimeve të fundit.

BDI u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, që të trajtojnë këto shqetësime përpara se të bëhen strukturore dhe të vështira për t’u rikthyer.

Sigurimi i përfaqësimit të drejtë dhe shmangia e margjinalizimit institucional janë thelbësore për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe evropiane.