Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ngre shqetësimin për përjashtimin dhe margjinalizimin sistematik të shqiptarëve nga strukturat kyçe të ushtrisë në Maqedoninë e Veriut.
Shqiptarët në ushtri janë të përjashtuar dhe të kufizuar për vendimet e rëndësishme dhe pozitat strategjike.
Margjinalizimi i shqiptarëve nuk ndalet vetëm me përjashtimin e tyre nga pozitat udhëheqëse, por zgjerohet edhe në sistemin e edukimit ushtarak.
Eshtë shqetësuese se në vend që të ndihmojnë zgjidhjen e këtij problemi, të zgjedhurit e VMRO-DPMNE-së për të luajtur rolin e “përfaqësuesve shqiptarë” vetëm sa legjitimojnë këtë padrejtësi.
Këta politikanë janë të paaftë dhe të paguximshëm për të ngritur zërin kundër këtij diskriminimi të hapur, duke u bërë pjesë e heshtur e margjinalizimit të shqiptarëve.
Ndërkohë, pjesa maqedonase e shoqërisë vazhdon të heshtë për këtë padrejtësi, duke i injoruar shqetësimet e shqiptarëve dhe duke mos e kuptuar se diskriminimi i një populli nuk është thjesht një problem etnik, por një krizë e shtetit në përgjithësi.
Kjo heshtje e vazhdueshme vetëm sa thellon ndarjet dhe krijon tensione që dëmtojnë të ardhmen e bashkëjetesës në vend.
BDI i bën thirrje të gjithëve që të dëgjojnë shqetësimet e përfaqësuesve legjitimë të shqiptarëve .
Shqiptarët nuk mund të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë në shtetin tonë të përbashkët multietnik.
BDI mbetet e përkushtuar për barazinë e popujve në shtetin tonë të përbashkët dhe të sigurojë që ata të kenë përfaqësim të drejtë dhe të denjë në çdo fushë, përfshirë edhe ushtrinë.
Ne bëjmë thirrje për një reagim të menjëhershëm nga të gjitha institucionet dhe shoqëria në tërësi për të ndalur këtë diskriminim që dëmton të ardhmen e përbashkët të vendit tonë.