Autoritetet gjeorgjiane po ndërmarrin hapa të rinj për t’u larguar nga standardet demokratike dhe miratimi urgjent i ndryshimeve në Kodin e Kundërvajtjeve Administrative, Kodin Penal dhe Ligjin për Tubimet dhe Ngjarjet do të ketë pasoja të gjera për shoqërinë gjeorgjiane, tha Komisionerja për Zgjerim Marta Kos.

Vlerësohet se këto ligje do të cenojnë ndjeshëm të drejtat për lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe lirinë e medias.

“Ky zhvillim përfaqëson një pengesë serioze për zhvillimin demokratik të Gjeorgjisë dhe është jashtë pritshmërive për një vend kandidat për anëtarësim në BE.” “U bëjmë thirrje autoriteteve që të pezullojnë këto masa, të përmbahen nga tensionet e mëtejshme dhe të presin opinionin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), me kërkesë të Mbrojtësit Publik”, thuhet në deklaratë.

Ajo thekson se autoritetet gjeorgjiane kanë përdorur taktika të frikësimit dhe dhunës për të “heshtur zërat e mospajtimit” dhe se “protestuesit paqësorë, gazetarët dhe politikanët e opozitës” janë vënë në shënjestër.

“Rasti i gazetares aktualisht të ndaluar Mzia Amaglobeli është një tjetër shembull i tillë sesi autoritetet i trajtojnë gazetarët dhe këdo që flet lirshëm”. Mzia, e cila aktualisht është në grevë urie, është simbol i guximit të të gjithë të arrestuarve padrejtësisht”, thuhet në deklaratë, duke paralajmëruar se përgjegjësit e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi.

BE u bën thirrje autoriteteve gjeorgjiane të lirojnë të gjithë gazetarët, aktivistët dhe të burgosurit politikë të ndaluar padrejtësisht dhe të sigurojnë dialog me të gjitha forcat politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.