Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se po pezullon sanksionet ndaj sektorëve të energjisë, transportit dhe sektorit bankar të Sirisë, për të ndihmuar rindërtimin e vendit pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, raporton Anadolu.

Në një deklaratë, BE tha se masa synon “të lehtësojë angazhimin me Sirinë, njerëzit dhe bizneset e saj në fushat kryesore të energjisë dhe transportit, si dhe të lehtësojë transaksionet financiare dhe bankare të lidhura me sektorë të tillë dhe transaksionet e nevojshme për qëllime humanitare dhe rindërtimi”.

Dispozitat kryesore të vendimit të sotëm përfshijnë pezullimin e masave sektoriale që prekin sektorët e energjisë dhe transportit, të cilët përfshijnë naftën, gazin, energjinë elektrike dhe infrastrukturën e transportit.

Për më tepër, pesë entitete siriane, duke përfshirë Bankën Industriale, Bankën Popullore të Kreditit, Bankën e Kursimeve, Bankën e Kooperativës Bujqësore, si dhe kompania Sirian Arab Airlines, janë hequr nga lista e organizatave të sanksionuara të BE-së.

Masa lehtëson gjithashtu transaksionet financiare me Bankën Qendrore të Sirisë për qëllime humanitare dhe rindërtimi.

Për më tepër, BE-ja ka vendosur të zgjasë pafundësisht përjashtimin humanitar, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme për përpjekjet humanitare.