Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova, raporton sot gazeta gjermane Bild.
“Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të SHBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putin, Aleksandër Vuçiç, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në artikullin e gazetës gjermane, shkruan KosovaPress.
Sipas informacioneve në faqen zyrtare të NATO-s, Italia ka 1 mijë e 258 trupa në Kosovë, ndërsa SHBA 602.
Gazeta shkruan se në pjesë të mëdha të Evropës ekziston një shqetësim i madh për negociatat amerikane-ruse. Sipas informacioneve të Bild, shërbimet e sigurisë perëndimore dhe politikanët kanë frikë se negociatat që filluan dje në Riad mund të çojnë në fund të pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës.
Një zyrtar për siguri nga Evropa Lindore tha për Bild, se sipas informacioneve, bëhet fjalë për kërkesat e presidentit rus Vladimir Putin në vitin 2021, që nënkuptojnë një tërheqje të trupave amerikane nga të gjitha shtete e NATO-s që iu bashkuan Aleancës Veri-Atlantike pas vitit 1990.