Mbi 1200 punonjës policie ndodhen sot në terren për të mbarëvajtur protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të kulmojë me fjalën e kryedemokratit Sali Berisha para Kryeministrisë.
Gazetarja e A2 CNN, Xhensila Kodra raporton se ndryshe nga protestat e mëparshme ku rreshtin e parë të kordonit të policisë para Kryeministrisë e përbënin efektivet femra, këtë herë ka prezencë të shtuar të efektivëve meshkuj.
Përpara kryeministrisë janë forcat e rendit dhe efektivët e repartit “Shqiponja” që kanë krijuar kordonët dhe janë të pajisur me masa kundragaz.
Forcat e FNSH qëndrojnë sakaq në gatishmëri në pjesën anësore dhe të pasme të Kryeministrisë që do të ndërhyjnë vetëm në rast të një urdhri nga eprorët, nëse do të ketë eskalim të situatës dhe përplasje me protestuesit.
Në terren ka zbritur vetë Drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi që po mbikëqyr të gjitha masat e ndërmarra, të cilat kanë nisur të aplikohen që prej orës 10:00 të mëngjesit.
Prej kësaj ore nuk janë lejuar automjete që të parkojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas prej orës 14:00 u bllokua edhe lëvizja./A2CNN/