Shkalla e vdekjes nga kanceri në Britani të Madhe sipas një studimi të sapo botuar është 60 për qind më e lartë në mesin e njerëzve që jetojnë në zonat më të privuara të vendit krahasuar me ata në rajonet më të pasura, transmeton Anadolu.

Gjetjet e analizës së kryer nga shoqata bamirëse “Cancer Research UK” zbulojnë një pabarazi të madhe në Britani midis rajoneve të pasura dhe atyre më të privuara, me 28.400 vdekje shtesë nga kanceri për çdo vit në vendet e privuara, shifër ekuivalente me 78 vdekje për çdo ditë.

Për të gjitha llojet e kancerit, shkalla e vdekshmërisë në zonat më të varfra është 337 vdekje në 100 mijë njerëz, krahasuar me 217 vdekje në 100 mijë njerëz në zonat më të pasura, duke e bërë këtë shifër pothuajse 1.6 herë më të lartë.

Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i këtyre vdekjeve, me një shkallë të vdekshmërisë pothuajse tre herë më të lartë në zonat më të privuara. Raporti thekson duhanin si kontribuuesin kryesor të kancerit, me normat e pirjes së duhanit në komunitetet më të varfra të paktën tre herë më të larta se në komunitetet më të pasura.

Shoqata bamirëse “Cancer Research UK” zbuloi dallime të mëdha në qasjen në kujdesin ndaj kancerit pasi pacientët në zonat më të privuara të Anglisë kanë deri në një të tretën më shumë gjasa të presin më shumë se 104 ditë për trajtim pas një referimi urgjent.

Përveç kësaj, ata kanë 50 për qind më shumë gjasa për t’u diagnostikuar pas paraqitjes së simptomave si një rast urgjent, sesa përmes metodave të mëhershme të zbulimit.

Dr. Ian Walker, drejtor ekzekutiv i politikave dhe informacionit në “Cancer Research UK”, i përshkroi këto gjetje si “tronditëse dhe të papranueshme”. “Askush nuk duhet të jetë në rrezik më të madh për të vdekur nga kjo sëmundje shkatërruese thjesht për shkak të vendit ku jeton. Këto shifra janë tronditëse dhe të papranueshme, por më e rëndësishmja, ato janë të shmangshme”, tha ai.

Shoqata bamirëse i bëri thirrje Britanisë të ndërmarrë veprime urgjente për të trajtuar këto pabarazi shëndetësore duke investuar në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm dhe në qasjen në kohë në trajtim, veçanërisht në zonat e privuara.