Një tjetër ditë e errët për Milanin, një tjetër humbje dhe ëndrra Champions që largohet gjithnjë e më shumë. Kuqezinjtë humbin një mundësi të artë për t’u afruar me Juventusin e vendit të katërt, teksa trajneri Sergio Conceição nuk e fsheh zemërimin e tij pas ndeshjes:

“Ka pasur një prekje të qartë me dorë në golin e parë të tyre dhe në të dytin më dukej se topi kishte dalë jashtë vijës anësore. Nuk më kanë thënë, e kam parë vetë. Duhej të bënim më shumë, por të gjitha episodet negative për ne bëhen pozitive për kundërshtarët.

Duhet të kuptojmë ku kemi gabuar, por kemi bërë edhe gjëra të mira. Kishte gabime nga ana jonë, por edhe nga një tjetër skuadër (e kishte fjalën për arbitrat). Këto episode ishin vendimtare. Nuk është vetëm gjyqtari fajtor për këtë humbje, e marr unë përgjegjësinë i pari, por këto gjëra ndodhin gjithmonë”.

Nga humbja me Bologna tek e ardhmja e tij, hapi është shumë i vogël: “Çdo ditë flitet për situatën time dhe nuk është e drejtë. Sidoqoftë, unë jam i qetë sepse situata është e thjeshtë: nëse më thonë që nuk më duan më, marr valixhet dhe largohem, nuk dua asnjë euro më shumë.

Kam gati 100 ndeshje në Champions, por çdo ditë dëgjoj fjalë të këqija për mua, sikur kam ardhur nga askundi. Megjithatë, në pesë vitet e fundit, gjithmonë kam eliminuar skuadra italiane që ishin më të forta se Portoja ime… Kam nevojë për pak më shumë respekt si person, më falni për këtë shpërthim”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.