Dimitrieska-Koçoska në takim në LOE – NVM-të janë shtytësi i ekonomisë sonë, përkrahje për investimet e tyre me mjete të favorshme të Qeverisë nga huaja hungareze

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, vazhdoi takimet me komunitetin e biznesit. Aјо sot zhvilloi takim me kryetarin e Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angellovski dhe me kryesinë e kësaj Ode, ku u bisedua për nevojën e përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme vendore për zhvillimin e tyre në të ardhmen.
“Siç dihet tashmë, Qeveria ka siguruar 250 milionë euro mjete të favorshme nga Banka Eksport-Import e Hungarisë, për përkrahjen e kompanive vendore, veçanërisht në kushte të pasigurta në suaza globale. Prandaj, tashmë i kemi përcaktuar kushtet dhe mjetet veçse janë në dispozicion të kompanive. Këto mjete janë stimulim i konsiderueshëm për realizimin e investimeve nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtytësi i ekonomisë sonë, aq më tepër që, kushtet në të cilat ato plasohen nëpërmjet bankave, për të cilat Qeveria ka rënë dakord paraprakisht, janë më të favorshme se ato që janë ofruar nga bankat afariste. Vlen të theksohet fakti se, përveç normës së ulët të interesit, domethënëse është edhe periudha e shlyerjes deri në 15 vjet dhe periudha grejs deri në 3 vjet, fakt ky që inkurajon veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të hyjnë në zbatimin e një projekti investimi më serioz”, nënvizoi ministrja.
Ajo shtoi se mjetet janë tashmë në dispozicion dhe se më e rëndësishmja është që kompanitë të hartojnë projekte dhe të aplikojnë për përkrahje. Kjo do të sigurojë mjete për zhvillimin e tyre dhe për stimulimin e aktivitetit ekonomik në përgjithësi.
“Lidhja e Odave Ekonomike (LOE) e konsideron huanë hungareze si një nga huatë më të favorshme, duke siguruar përkrahje të konsiderueshme për bizneset dhe duke mundësuar një cikël të ri cilësor investimi.
“Në takimin me ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, u dakordua fakti që sektori i biznesit ta hartojë listën e normave doganore për harmonizimin e tyre me standardet evropiane. Kemi kërkuar që të thjeshtësohen procedurat tatimore dhe kemi gjetur mirëkuptim të madh për normat doganore që duhet të harmonizohen”, theksoi në konferencën e përbashkët për media, kryetari i LOE-së, Trajan Angelloski.
LOE-ja ritheksoi qëndrimin e saj se tatimi i solidaritetit është vendosur në mënyrë të pajustifikueshme dhe potencoi se vlerësojnë proaktivitetin e Qeverisë lidhur me këtë çështje.
Në takim u konstatua bashkërisht që takimet e tilla, ku shkëmbehen informacione për masat e Qeverisë, janë veçanërisht të rëndësishme, pasi që u ofrojnë kompanive udhëzime për kushtet e ardhshme të punës dhe se këto takime janë gjithashtu një mundësi për të diskutuar disa çështje që paraqesin barriera për punën e kompanive.