Shkodran Tolaj
Isha për 5 vite Kryeshërbëtori i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e jo thjesht një ushtrues detyre që krekoset me shallin në qafë, rakinë në tavolinë dhe marrëzitë që i ka pjesë të jetës! Pasardhësi im nuk mund të jetë dikush që nuk plotëson kushtet për të udhëhequr një institucion nacional për shkak të problemeve me ligjin – fakte që dihen dhe dokumentohen. Prandaj, sot kemi thjesht një “ushtrues detyre”, të cilit nuk do t’ia besoja as një tufë delesh për t’i udhëhequr.
Më vjen keq për artistët e përkushtuar dhe atdhetarët e vërtetë, sidomos për pjesën më të madhe të ish-punonjësve që janë mashtruar dhe lënë jashtë institucionit, falë këtij njeriu të përkohshëm në krye. Dhe ja ku jemi sot: ansambli, që nga 25 korriku 2024, është në gjendje të mjerueshme. Nuk ka rrymë elektrike, mbeturinat kanë vërshuar sallën e Armatës dhe asgjë nuk funksionon – rezultat i ambicieve të sëmura të këtij farë ushtruesi, që ka më shumë merak ta zhvendosë ansamblin në Tetovë, sa më afër shtëpisë së tij, sesa ta mbajë gjallë një institucion kulturor kombëtar.
Në vend që mediat të vazhdojnë të merren me emrin tim – edhe pas tre ndërrimesh të ushtruesve të detyrës që nga shtatori – do të duhej të pyesnin:
• Çfarë organizoi ky “drejtor” për Festën e Pavarësisë më 28 Nëntor?
• Ku mbeti Dita e Plisit?
• Çfarë do të bëjë për Epopenë e UÇK-së në Skenderaj?
• Përse ende gjysma e artistëve të mrekullueshëm të ansamblit janë në rrugë?
Por, siç duket, nga mungesa e takatit të tij, më tepër vërehet mungesa ime sesa prezenca e një të tilli, që nuk ngjan as më pak e as më shumë se në “Të Mjerin” e Viktor Hygosë!