Egjipti refuzon dhe nuk do të jetë pjesë e asnjë propozimi që zhvendos palestinezët nga Gaza.

Kështu ka thënë të enjten ministria e tij e jashtme, pas planit të presidentit Donald Trump që SHBA të marrë përsipër brezin e shkatërruar nga lufta dhe thirrjes së tij që Egjipti të pranojë palestinezët e zhvendosur.

Egjipti, i cili kufizohet me enklavën e vogël, denoncoi shprehjet e mbështetjes nga anëtarët e kabinetit izraelit për planin për të krijuar një “rivierë të Lindjes së Mesme” në Gaza nën kontrollin e SHBA.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi ushtrinë të enjten të përgatisë një plan për të lejuar largimin vullnetar të banorëve të Gazës nga rripi, raportojnë mediat izraelite.

Duke iu referuar urdhrit të Katz, ministria tha: “Egjipti thekson pasojat katastrofike të këtij akti të papërgjegjshëm që dobëson negociatat e armëpushimit dhe do të nxiste rikthimin e luftimeve”.

Në janar, Egjipti, së bashku me Katarin dhe SHBA-në, ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, duke i dhënë fund një lufte 15-mujore që tronditi Lindjen e Mesme.

Bisedimet për fazën e dytë të marrëveshjes supozohej të fillonin këtë javë.