Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Malajzi, ku kryeministri i këtij vendi, Anwar Ibrahim, i ka rezervuar një pritje të pazakontë.

Përveç takimeve zyrtare, Ibrahim vendosi ta shëtiste presidentin amerikan me një veturë të prodhimit turk, Togg. Erdogan i tregoi Ibrahimit brendësinë e makinës dhe e njohu me veçoritë e saj.

Më pas, kryeministri malajzian dhe presidenti turk ndërruan rolet, dhe Ibrahim mori drejtimin e veturës duke u bërë për pak çaste shoferi i Erdoganit.

“Për herë të parë, presidenti është pa sigurim”, tha kryeministri malajzian.

Pas kësaj, Erdogan e pyeti nëse i pëlqente dizajni i makinës, dhe Ibrahim e konfirmoi këtë. Dy liderët vazhduan bisedën e tyre, duke impresionuar shumë njerëz me spontanitetin e tyre, diçka që është e rrallë në takime të kësaj natyre.

Ndërkohë, në konferencën zyrtare për shtyp, lideri turk dhe Ibrahim prekën një sërë temash, përfshirë edhe idenë e Donald Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.

“Sa mund të negociohet kur kolonizatori nuk është tërhequr? Kjo është gjithashtu çështje e politikës së konfiskimit të pronës. Kur u merrni njerëzve tokën, shtëpitë, pasurinë… kemi dy probleme që duhen zgjidhur. Njëri, natyrisht, është ndihma e menjëhershme humanitare, por gjithashtu duhet një zgjidhje afatgjatë dhe miqësore për problemin”, tha Ibrahim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume