Qeveria e re bullgare ka njoftuar se refuzon të negociojë me Maqedoninë e Veriut për të lehtësuar kushtet në të cilat Shkupi mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, raporton portali “Euractiv” me qendër në Bruksel.

Në tekstin e tyre të publikuar gjatë ditës së sotme, rikujtohet se “Tre vjet më parë, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut arritën një marrëveshje, të ndërmjetësuar nga Franca, për lëshime reciproke për të zhbllokuar procesin e integrimit europian në Ballkanin Perëndimor”, duke shtuar se “Qeveria në Shkup ka pranuar të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj dhe autoritetet në Sofje kanë premtuar heqjen e vetos për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut”.

Autori i shkrimit më tej thekson se vitin e kaluar ka ndodhur një ndryshim i qeverisë në Shkup dhe se qeveria e re e udhëhequr nga Hristijan Mickoski ka premtuar se “nuk do t’i bëjë lëshime Sofjes”.

“Euractiv” përcjell deklaratën e Mickoskit se presin zgjedhjen e qeverisë së rregullt në Sofje për të filluar negociatat për heqjen e vetos bullgare, por thekson se sinjalet e para nga pala bullgare janë se nuk do të ketë rinovim të dialogut.

“Bullgaria rikujton se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk është çështje dypalëshe, por kusht i Brukselit ndaj Shkupit”, thekson portali.

Tutje në tekst theksohet se në deklaratën e një ministri bullgar thuhet se Bullgaria qëndron “jashtëzakonisht konsistente” në politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit.