Presidenti amerikan Donald Trump mbrojti akuzat e bëra nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili tha se liria e shprehjes në Evropë është në rrezik. Gjatë një takimi me gazetarë, Trump shprehu mbështetje për deklaratat që zëvendësi i tij bëri në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Ata në Evropë po e humbasin të drejtën e tyre të mrekullueshme për lirinë e fjalës,”- tha Trump.

Ai gjithashtu komentoi se Europa ka një “problem të madh me imigracionin.”

Vance, në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, tha se liria e shprehjes në Evropë është duke u kufizuar dhe përmendi disa raste si prova, përfshirë dënimin e një emigranti irakian në Suedi për djegien e kopjeve të Kuranit dhe anulimin e zgjedhjeve presidenciale në Rumani për shkak të akuzave për ndërhyrje nga Rusia.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i hodhën poshtë komentet e JD Vance. Kancelari Scholz, në një postim në platformën X, shprehu kundërshtimin e tij të qartë ndaj deklaratave të zëvendëspresidentit amerikan. Ndërkaq, Pistorius e akuzoi Vance për një “përfytyrim të shtrembëruar për demokracinë”.