Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kritikoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke e cilësuar si një gabim heqjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO nga tavolina e negociatave me Rusinë.

Në një deklaratë për shtyp gjatë mbërritjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Pistorius tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk kishte bërë asnjë lëvizje në pozitat e tij negociuese. Ai tha se edhe SHBA nuk duhej të bënte lëshime përpara uljes në tryezën e bisedimeve.

“Unë mendoj se ishte e papërshtatshme. Mendoj se ishte një gabim,” tha Pistorius, duke komentuar deklaratat e Trump dhe sekretarit të tij të Mbrojtjes. “Do të ishte shumë më mirë të diskutoheshin mundësitë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe ndryshimet territoriale gjatë bisedimeve.”

Pistorius shtoi se, nëse vendet evropiane duan të luajnë një rol në marrëveshjen e paqes Ukrainë-Rusi, ato duhet të përfshihen plotësisht në negociata. Kjo deklaratë erdhi dy ditë pas një telefonate mes Trump dhe Putin, e cila u zhvillua pa njoftuar paraprakisht aleatët e NATO-s apo qeverinë ukrainase.

Ai nënvizoi rëndësinë e reformimit të kritereve të borxhit të Mastrihtit të Bashkimit Evropian dhe kufizimit të borxhit të vetë Gjermanisë, që do të mundësonte rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen nga anëtarët e NATO-s, siç ka kërkuar administrata Trump.

“Askush nuk mund të besojë se më shumë se 2% është e mjaftueshme,” tha Pistorius, duke iu referuar objektivit të NATO-s për shpenzimet ushtarake prej 2% të PBB-së për anëtarët e saj. Ai kujtoi gjithashtu kërkesat e Trump për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5% të PBB-së për aleatët evropianë.

Deklaratat e Pistorius vijnë në përgjigje të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Hegseth, i cili e quajti të pamundur kthimin e kufijve të vitit 2014 për Ukrianën. Ai gjithashtu tha se SHBA nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të një zgjidhjeje përfundimtare të konfliktit me Rusinë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume