Gjykata përkohësisht bllokoi kërkesën e presidentit amerikan, Donald Trump nga vendosja e 2200 punonjësve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në pushim me pagesë, disa orë para se kjo të ndodhte.

Gjykatësi Carl Nichols lëshoi një urdhër të përkohshëm “të kufizuar”, si përgjigje ndaj një padie të paraqitur në minutën e fundit nga dy sindikata që përpiqeshin të shpëtonin agjencinë.

Urdhri do të mbetet në fuqi për shtatë ditë, saktësisht deri më 14 shkurt në mesnatë, shkruan cnn.

Trump ka pohuar se USAID-i është vetëm barrë për taksapaguesit dhe dëshiron ta shuajë atë. Ai planifikon të vërë në “pritje” rreth 10 mijë punonjës të agjencisë, duke lënë aktivë vetëm 611 prej tyre.

Rreth 500 punonjës tashmë janë dërguar në pushim administrativ dhe 2200 të tjerë pritej t’u bashkoheshin atyre që nga mesnata e së premtes.

Megjithatë, në padinë e ngritur të premten, u argumentua se qeveria po shkelte Kushtetutën e SHBA dhe se punonjësit po pësonin dëme.

Gjykatësi Nichols mbështeti sindikatat, duke thënë se ato do të pësonin “dëm të pariparueshëm” nëse gjykata nuk ndërhynte, ndërsa “nuk do të kishte ndonjë dëm për qeverinë”.

“Të gjithë punonjësit e USAID-it që aktualisht janë në pushim administrativ do të rikthehen në punë deri në atë datë dhe do të kenë qasje të plotë në email, pagë dhe sistemet e sigurisë deri në atë datë, dhe asnjë punonjës shtesë nuk do të vendoset në pushim administrativ para asaj date”, deklaroi gjykatësi.

Gjykata do të shqyrtojë të mërkurën një kërkesë për zgjatjen e ndalimit të përkohshëm. Nga vendimi gjyqësor mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër të vendeve të punës dhe punonjësve.

Ndërkohë, teksa gjykata po merrte këtë vendim, në selinë e USAID në Washington po hiqeshin dhe mbuloheshin tabelat me emrin e agjencisë.