Ish-emisari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është emëruar në një post të ri në administratën e presidentit Donald Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për ta caktuar Grenellin si emisar për misione të posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vendimi është marrë të hënën në mbrëmje, sipas kohës lokale në SHBA, ndërsa Trump e ka lavdëruar Grenellin për rolin e tij në ndalimin e zjarreve në Los Angeles.
“Është njeri i mirë”, ka thënë presidenti amerikan gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Grenell në administratën e parë të Trumpit shërbeu si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë rol, ai ndërmjetësoi marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli.
Megjithatë, kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Me rikthimin e Trumpit në pushtet, administrata e tij ka emëruar disa figura të njohura në pozita të rëndësishme, por ende nuk ka caktuar një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Me postin e tij të ri, Grenell do të merret me misione të posaçme të diplomacisë amerikane, duke ngritur pikëpyetje nëse Ballkani – dhe veçanërisht dialogu Kosovë-Serbi – do të jetë sërish në fokusin e tij.