Lideri i grupit Abdulmalik al-Houthi, ka deklaruar të martën se Houthit janë të gatshëm të sulmojnë Izraelin nëse rifillon lufta në Gaza.

Houthit kontrollojnë më shumë se gjysmën e Jemenit duke përfshirë edhe kryeqytetin Sana’a. Gjatë luftës në Gaza në mes Izraelit dhe Hamasit, Houthit kishin sulmuar Izraelin dhe anijet tregtare në Detin e Kuq, në përkrahje të milicisë tjetër të përkrahur nga Irani, Hamasit.

“Duart tona janë në këmbëz dhe jemi të gatshëm që menjëherë të përshkallëzojmë ndaj armikut Izraelit nëse ai i rikthehet eskalimit në Rripin e Gazës”, deklaroi al-Houthi gjatë fjalimit televiziv.

Armëpushimi në Gaza po duket i brishtë tashmë, pasi Hamasi deklaroi se do të ndalonte së liruari pengjet izraelite duke pretenduar se Izraeli po e shkel marrëveshjen.

Si përgjigje, ministri i Mbrojtjes së Izraelit Katz udhëzoi ushtrinë të jetë në nivelin më të lartë të gatishmërisë.