Kryeministri hungarez, Viktor Orban, një aleat besnik i presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar se sanksionet amerikane kundrejt GJNP-së janë pjesë e “tornados së Trumpit”.

Ai ka vazhduar duke thënë se “është koha për Hungarinë që të rivlersojë pozitën e saj në një organizatë ndërkombëtare që është nën sanksionet amerikane”, ka raportuar Al Jazeera.

“Erëra të reja janë duke fryrë në politikat botërore, ne e thërrasim tornadoja e Trumpit”, ka shkruar Orban në rrjetin social X.

Presidenti amerikan, Donald Trump, të enjten ka vendosur sanksione ndaj GJNP-së pas akuzave se ka bërë “veprime të paligjshme dhe të pabaza që synojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë, Izraelin”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka reaguar kundër sanksioneve, duke e dënuar lëshimin e urdhrit ekzekutiv nga SHBA-ja, i cili sipas tyre synon të sanksionojë zyrtarët e saj dhe të dëmtojë punën e pavarur dhe të paanshme të gjykatës.