Ibrahimi: Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe një shtyllë thelbësore e identitetit dhe kulturës sonë

Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka njoftuar se ka marrë pjesë në konferencën shkencore “Gjuha shqipe – identitet dhe jo politikë”, të organizuar nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.
Ai ka thënë se është e rëndësishme të kuptojmë se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe një shtyllë thelbësore e identitetit dhe kulturës sonë.
“E kisha nderin sot të marr pjesë në konferencën shkencore “Gjuha shqipe – identitet dhe jo politikë”, të organizuar nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, zëvendëskryeministrin, Izet Mexhiti, dhe kolegë të tjerë profesorë, me të cilët shtjelluam tema të ndryshme rreth rëndësisë së gjuhës shqipe. Tema ime ishte “Gjuha shqipe dhe përkufizimi i politikës gjuhësore në RMV”. Është e rëndësishme të kuptojmë se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe një shtyllë thelbësore e identitetit dhe kulturës sonë. Në këtë kontekst, politika gjuhësore në RMV duhet të synojë jo vetëm zbatimin formal të ligjeve ekzistuese, por edhe promovimin aktiv të gjuhës shqipe në të gjitha sferat e jetës publike. Diskutimi në këtë konferencë theksoi nevojën për një qasje institucionale më të fuqishme në mbrojtjen dhe avancimin e përdorimit të shqipes, duke siguruar zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe shmangien e çdo instrumentalizimi politik të çështjeve gjuhësore. Falënderoj organizatorët për këtë hap të rëndësishëm dhe kolegët për diskutimet e vlefshme që ndihmojnë në forcimin e pozitës së gjuhës shqipe në vend”, ka shkruar Ibrahimi.