Ndotja e ajrit në Kosovë ka vazhduar të jetë në nivele të larta, me pasoja edhe në shëndetin e qytetarëve. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, 1.150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit në Kosovë

Ekspozimin në ambiente të hapura, Rrustem Cërnovërrni nga Obiliqi e ka të ndaluar tash e disa muaj për shkak të ndotjes së madhe të ajrit.

Ai vuan nga emfizema pulmonare, një sëmundje kronike e frymëmarrjes, e cila e detyron ta shmangë kontaktin me ajrin e ndotur.

Meqë trajtimin mjekësor e ka të nevojshëm, ekipi mjekësor nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Obiliq i ofron kujdes shëndetësor në shtëpi.

“Që një vit jam me oksigjen duke jetuar, madje ekipin e Obiliqit i kam bo kahre duke i thirrë se me shku nuk po mundem. Përjashta nuk kam dalë kurrë e as nuk guxoj me dalë pa u nxehë koha”, thotë Cërnovërrni. “Veç llogarite shkaku i ajrit mos me mujtë me dalë as në ballkon”.

Cërnovërrni thotë se problemet me frymëmarrjen i kanë nisur para 12 vjetësh dhe fajin për këtë ia hedh duhanit, e sidomos ajrit të ndotur ku jeton.

“Ajri i ndotur ka ndiku më së tepërmi… edhe duhani ka ndiku, po nuk kam pi veç unë duhan, edhe të tjerët e kanë pi po këtu në Dardhishtë asnjë nuk shkon pa sëmundjen e keqe prej ajri. Kam punu 10 vjet qetu, afër KEK-ut”, thotë ai.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), në një përgjigje për KOHËN, kanë bërë të ditur se 1.150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit. Këto të dhëna, Instituti i mbështet në studimin e kryer nga Millenium Challenge Cooperation në periudhën 2017-2019 në Kosovë.

E pulmologu Skender Baca numëron shumë sëmundje që mund të shkaktohen nga ajri i ndotur.

“Ne i ekspozohemi ajrit të ndotur në mënyrë të vazhdueshme, shtatë ditë në javë. Gjasat që të fitojmë ndonjë dëmtim të mushkërive ose organeve të tjera si zemra, truri, lëkura janë mjaft të mëdha, sepse ndotja është e një niveli të lartë”, ka thënë Baca.

E, Egzona Shala, njohëse e çështjeve të mjedisit, thekson se ndotja e ajrit nuk vjen vetëm nga termocentralet, por edhe nga vetë qytetarët.

“Çdo qytetar mundet me pasë aftësinë që primare me zgjedhë ecjen, mandej transportin publik e masnej veturën – fatkeqësisht neve po na bie që vetura me qenë e para, mandej këto të tjerat. E kisha lutë çdo qytetar që qymyrin mos me përdorë për ngrohje, është ekonomikisht ma i lirë, por në aspektin e shnetës sonë është 10 mijë herë ma i shtrenjtë që mundet me kushtu në kontrolle te mjeku”, ka thënë Shala, e cila është edhe drejtoreshë ekzekutive në ECOZ.

Në fillim të vitit, Prishtina e disa qytete të tjera të Kosovës ishin ndër më të ndoturat në botë. Ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit llogaritet termocentrali “Kosova A” në Obiliq, komunë ku jeton edhe Rrustem Cërnovërrni.