Investimet e BEI Globale të BEI-t shënuan një vlerë prej 693 milionë eurosh në Ballkanin Perëndimor në 2024

• EIB Global investoi 527 milionë euro në kredi për projekte të reja, duke mobilizuar gati 3.1 miliardë euro në investime të reja, të mbështetura nga 166 milionë euro në grante.
• Projektet e reja do të mbështesin procesin e anëtarësimit në BE, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe duke promovuar konkurrencën e ekonomive lokale.
• Banka vijoi mbështetjen e saj për projektet që lidhen me efikasitetin energjetik dhe energjinë e rinovueshme, ku marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2024 arritën një vlerë rekord prej 213 milionë eurosh
Në vitin 2024, financimi i Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) për projekte të reja në Ballkanin Perëndimor arriti në vlerën 693 milionë euro, projekte të cilat lidhen me sigurinë e energjisë, transportin e qëndrueshëm, masat për klimën, zhvillimet digjitale dhe kapitalin njerëzor. Nga këto fonde, janë nënshkruar 527 milionë euro në kredi, 164 milionë euro në grante në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) dhe 2 milionë euro në grante nën Iniciativën për Qëndrueshmëri Ekonomike të BEI-së. Pjesa më e madhe e nënshkrimeve të reja iu nda transportit të qëndrueshëm (43%), projekteve të energjisë së pastër (31%, përqindje rekord) dhe sektorit privat (20%).
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur të gjitha vendet në rajon në rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Arritja e një konvergjence më të lartë me Bashkimin Evropian kërkon reforma dhe investime të rëndësishme, prandaj mbështetja e kombinuar financiare dhe teknike nën ombrellën e Team Europe ofron një mbështetje koherente, të vazhdueshme dhe të gjerë. Plani i fundit i rritjes paraqet shembuj të nismave që mund të përshpejtojnë integrimin e tregut, rritjen ekonomike dhe ambiciet e pranimit në BE,” tha zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot.
Mbështetje për projektet e energjisë
Banka dha kredi me vlerë 213 milionë euro për rehabilitimin e disa hidrocentraleve të mëdha dhe instalimin e matësve të avancuar të energjisë elektrike në Serbi. Përveç kësaj, banka financoi ndërtimin e një prej termocentraleve më të mëdha diellore afër Prishtinës në Kosovë*, i cili do të adresojë nevojat energjetike të mbi 29 000 familjeve dhe do të shkurtojë 174 000 tonë emetime dioksidi karboni në vit.
“Si bankë e BE-së për klimën, ne kemi intensifikuar përpjekjet tona për të promovuar një tranzicion të gjelbër në secilin vend dhe jemi të palëkundur në angazhimin tonë për të mbështetur dekarbonizimin e ekonomive rajonale me qëllim garantimin e sigurisë energjetike dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit,” tha zëvendëspresidenti De Groot.
Banka vuri gjithashtu në dispozicion programin këshillues të sistemeve financiare të gjelbra në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri për të përmirësuar praktikat e menaxhimit të rrezikut klimatik të bankave kombëtare dhe lokale dhe investimet e gjelbra te kompanitë. Disa projekte të financuara nga BEI përfituan nga asistenca teknike në kuadër të programit këshillimor të KIBP dhe asistencës së përbashkët për mbështetjen e projekteve në rajonet evropiane (JASPERS). Që nga nënshkrimi i mandatit të tretë në vjeshtën e vitit 2023, ekspertët e JASPERS kanë përmbushur 32 detyra këshilluese në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke mbuluar sektorët e transportit, ujit, energjisë, urban dhe digjital.
Avancimi i lidhjes së qëndrueshme në vitin 2024
Në vitin 2024, BEI Globale vijoi të mbështesë sektorin e transportit me financime të reja me vlerë 295 milionë euro. Këto përfshinë marrëveshje për rehabilitimin e seksioneve hekurudhore në Mal të Zi dhe Shqipëri. Këto përmirësime të infrastrukturës përgjatë rrjetit të zgjeruar të transportit transevropian (TEN-T) do të rrisin kapacitetin, efikasitetin dhe sigurinë hekurudhore, duke promovuar një zhvendosje nga transporti rrugor në transport të qëndrueshëm. Për më tepër, Banka nënshkroi grant të BE-së me një vlerë totale prej 79 milionë eurosh për ndërtimin e një seksioni në Korridorin Vc në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Nxitja e krijimit të vendeve të punës dhe masat për klimën në kompanitë rajonale
BEI Globale investoi 151 milionë euro për të mbështetur projektet e zgjerimit, punësimit, inovacionit dhe energjisë së pastër te kompanitë. Falë linjës së tij të parë të kredisë së bazuar në ndikim, bizneset e vogla në rajon kanë krijuar vende të reja pune, kanë ofruar trajnime dhe mundësi zhvillimi të karrierës për njerëzit nga grupet e cenueshme. Në kuadër të Instrumentit të Garancisë për Inovacionin dhe Zhvillimin e Ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF) lidhur me qëndrueshmërinë e NVM-ve në Bashkimin Evropian, Fondi Evropian i Investimeve, pjesë e Grupit të BEI-t, siguroi garanci që pritet të zhbllokojnë kredi me vlerë mbi 750 milionë euro për rreth 13 000 biznese të vogla, duke mbështetur rreth 180 000 vende pune.
Të dhëna bazë
Rreth BEI-t
Banka Evropiane e Investimeve është institucioni kreditues afatgjatë i Bashkimit Evropian, në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo financon investime që kontribuojnë në qëllimet e politikave të BE-së. Projektet e BEI-t forcojnë konkurrencën, nxisin inovacionin, promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësojnë kohezionin social dhe territorial dhe mbështesin një tranzicion të drejtë dhe të shpejtë drejt neutralitetit klimatik.
BEI është një nga financuesit kryesorë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor. Për informacion të detajuar mbi aktivitetet e BEI-t në këtë rajon, www.eib.org/en/publications/the-eib-in-the-western-balkans.
Rreth FEI-t
Fondi Evropian i Investimeve (FEI) është pjesë e Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve. Misioni qendror i tij është të mbështesë bizneset mikro, të vogla dhe të mesme duke i ndihmuar në aksesimin e financimeve. FEI-ja harton dhe zhvillon kapital sipërmarrjeje dhe rritjeje, garanci dhe instrumente mikrofinancimi që synojnë posaçërisht këtë segment të tregut. Përmes këtij roli, FEI nxit objektivat e BE-së për mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, rritjes dhe punësimit. Për më shumë informacion, shihni https://www.eif.org